Në librarinë Dukagjini, është promovuar romani “Njeriu pa emër” i autores Hatixhe Fona – Shala.
Shala, njihet si autore që prek tema të ndjeshme të shoqërisë, duke dhënë porosi përmes zërit të personazheve që i krijon vetë.
Në një bisedë në emisionin “Radar” me Edita Doli në Radio Dukagjini, Shala ka treguar se personazhi në librin “Njeriu pa emër” është një personazh i imagjinuar.
“Libri është një rrëfim prekës që paraqet jetën e një të burgosuri politik, i cili përjeton katrahurat e masakrës së Dubravës. Poashtu tregon se si sëmundja e amnezisë me të cilën përballet, i’a vëshirëson edhe më shumë jetën”, ka thënë Shala.
Pjesë e personazheve të tjera të librit “Njeriu pa emër” janë edhe Drita, Mrika, Ariana dhe të tjera.
Libri karakterizohet nga një përshkrim i mirë i një njeriu të vuajtur dhe vështirësitë me të cilat e ka përballur jeta.
Hatixhe Fona – Shala, është autore edhe e librit “Heshtja e Hanës”, një roman që trajton temën për vajzat që braktisin fëmijët e tyre, e që është pritur shumë mirë nga lexuesit.