Vuçeviq: KFOR-i duhet t’i zëvendësojë policët serbë, jo Qeveria e Kosovës

Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Milosh Vuçeviq pas dorëheqjes vullnetare të zyrtarëve serbë nga Policia e Kosovës ka kërkuar që ata të mos zëvendësohen me pjesëtarë shqiptarë dhe të komuniteteve të tjera nga radhët e policisë, por KFOR ta rritë numrin e pjesëtarëve të saj në veri

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq





Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Milosh Vuçeviq, ka thënë se Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, duhet të jetë ai i cili duhet të bëjë zëvendësimin e policëve serbë të cilët janë tërhequr nga institucionet, e jo Qeveria e Kosovës.

Ai ka theksuar se në të kundërtën, nëse Qeveria e Kosovës vendos që t’i zëvendësojë ata, atëherë një gjë e tillë do të jetë “katastrofale” për serbët në Veri.

“KFOR-i duhet të sigurohet që njësitet speciale të Kosovës të mos hyjnë tani në Veri të Kosovës, që gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë të mos vijnë për të trajtuar rastet kundër serbëve”, ka thënë Vuçeviq.

Ai në një intervistë për televizionin serb, Tv Pink, ka potencuar se një ushtar i KFOR-it, natyrisht që nuk mund të shndërrohet në polic, por se është e rëndësishme që ai “të kryejë detyrat që kanë të bëjnë me sigurinë e të gjithë qytetarëve në Kosovë”.

Po ashtu, ai ka thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in.

“Do të ishte katastrofike që Qeveria e Kosovës të dërgojë policinë nga jugu i Kosovës. Nuk mendoj se ushtria duhet të bëhet polici, por KFOR-i duhet të kryejë detyrat e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ajo që na shqetëson për sigurinë është se pala shqiptare po ndërton një forcë serioze policore në veri të Kosovës, ku ka komuna me shumicë serbe. Ajo që nuk duhet të bëjë është kundër marrëveshjeve”, është shprehur Vuçeviq.

Bojkotimi i institucioneve

Dhjetëra serbë të Policisë së Kosovës, të dielën, kishin filluar t’i dorëzojnë dorëheqjet e tyre në stacionin policor të Zveçanit.

Dorëzimi i këtyre fletëdorëheqjeve ka ardhur pas përfundimit të protestës së serbëve në sheshin “Car Lazar”, të organizuar nga Lista Serbe.

Ekipi i gazetarëve të RTV Dukagjini që kanë raportuar për ngjarjet në veri të vendit, kanë siguruar dokumentin ku shihet dorëheqja e pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës.

“Për arsye personale dhe morale, jap dorëheqje nga Policia e Kosovës”, thuhet në arsyetimin e dorëheqjes.

Ndryshe, të shtunën e 5 nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Një njoftim i tillë erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pasur dorëheqje të punonjësve policorë të komunitetit serb në veri të vendit.

Ndryshe, që nga një nëntori, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për shoferët dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill, dhe nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zubin Potokut dhe Zveçani, nga e diela, kanë mbetur pa udhëheqës.

Krejt kjo pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave, veprim i cili u formalizua një ditë pasi u mor vendimi për të.

Ky vendim i Listës Serbe, automatikisht, i dërgon komunat veriore në zgjedhje të jashtëzakonshme.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika