Serbia është e gatshme për “marrëveshje dhe kompromise” në bisedime me Kosovën, tha kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, për agjencinë AFP-në.
Këtë deklaratë, Vuçeviq e dha një ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen për një rund të ri të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Ne jemi të gatshëm të bëjmë marrëveshje dhe kompromise, që nënkuptojnë se asnjëra palë të jetë fituese absolute apo humbëse absolute, por që Serbia dhe shqiptarët duhet të jenë të kënaqur më mënyrë të barabartë, apo thënë më mirë të pakënaqur në mënyrë të barabartë”, tha Vuçeviq.
“Gjithçka tjetër nuk është dhe nuk mund të ketë qëndrueshmëri afatgjatë”, shtoi ai.
Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim.
Sot, Kurti deklaroi për gazetarët se në takimin në Bruksel do të diskutohet për gjendjen e këtij procesi dhe në rrugën përpara.
Ai po ashtu tha se Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve e bën të mundur normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë “me njohjen de facto në qendër”.
Kurti akuzoi Serbinë për moszbatim dhe shkelje të kësaj marrëveshjeje./REL