Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka quajtur “kërcënime” fjalët e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se serbët kanë afat deri më një tetor që t’i ndërrojnë targat e veturave.
Të dielën e 28 gushtit, Vuçiq ka deklaruar se Serbia ka arritur të nxjerrë më të mirën e mundshme nga marrëveshja me Kosovën.
“Albin Kurti tha sot se pret që deri në tetor të mos ketë më targa të pavlefshme në Kosovë. Kjo do të thotë se ai dëshiron konflikte dhe probleme të vazhdueshme”, u shpreh Vuçiq.
Sipas presidentit serb, marrëveshja për dokumentet e hyrje-daljes është verbale sepse është marrëveshje e nënshkruar më 2011, në kuadër të dialogut në Bruksel, shkruan Kosovo Online.
“[Për shkak se marrëveshje veç është e nënshkruar] Nuk ishte e vështirë, ishte e lehtë për të gjithë”.
Ndryshe, reciprociteti me Serbinë që pritet të funksionalizohet nga një shtatori, nuk do të bëhet kundër serbëve, ka thënë Kryeministri Kurti.
Në një intervistë për “BBC World Service”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se një veprim i tillë bëhet në kuadër të respektimit të ligjit e njëherësh, edhe të reciprocitetit.
“Më 1 tetor shpresojmë që të mos kemi dokumente që nuk janë legjitime, pos atyre të njohura si ‘RKS’ apo Republika e Kosovës. Një gjë e tillë nuk është kundër serbëve, por po bëhet për respektim të ligjit dhe të reciprocitetit”, tha Kurti.
Ai ka bërë të ditur se lëshimi i dokumenteve për 19 orë, është kryer pa incidente e ankesa.
Sipas Kryeministrit Kurti, një marrëveshje e tillë vjen si rezultat i kontributit të shefit të BE-së për Politikën e Jashtme, Joseph Borrell, të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Gjersa ka falënderuar popullin e Kosovës për durimin dhe mbështetjen, ai ka thënë se pas përfundimit të luftës, një pjesë e serbëve mbeti në Kosovë, pjesë kjo e cila shfrytëzoi dokumentet dhe targat e kohës së ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka deklaruar të shtunën se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, pasi Serbia ka rënë dakord të shfuqizojë dokumentet për hyrje-dalje për qytetarët e Kosovës.