Vuçiq, pas arritjes në Ohër tha se është një mbështetës i fortë i nisjes së negociatave të BE-së, me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, porse nisma “Ballkani i Hapur” është në dobi të të gjithëve.
“Kjo nismë është më e mira në rajon në dekadat e fundit”, tha Vuçiq, teksa foli edhe nëse kjo nismë është e hapur për Kosovën.
“Sa i përket dëshirës së kujtdo tjetër për të hyrë në ‘Ballkanin e Hapur’, të gjithë janë të mirëpritur. Ju e quani Republika e Kosovës, ne e quajmë ndryshe. Nëse doni t’i zgjidhim problemet në interes të qytetarëve, a do të kemi mjaftueshëm miell, vaj dhe gjithçka tjetër, atëherë kjo është një pyetje për ‘Ballkanin e Hapur’,” tha Vuçiq.
“Nuk e kam problem të flasë me çdokënd në Prishtinë. Shkëmbimi tregtar në CEFTA është shumë herë më i madh se në fillim. Kjo sjell përfitime për Ballkanin”, shtoi ai, raporton radioevropaelire.
Presidenti serb tha, se në takimin me liderët e tjerë do të ngrehë çështjen se si vendet e rajonit mund të ndihmojnë njëri-tjetrin në ushqim, energji, gaz, ndërtimin e përbashkët të termocentraleve, veçanërisht termocentraleve të ripërtëritshme.
Përveç presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe atij shqiptar, Edi Rama, që janë iniciues të “Ballkanit të Hapur”, në takimet e nismës në Ohër, për herë të parë, merr pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në cilësinë e vëzhguesit.