Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e ka vizituar Beogradin dhe është pritur nga i pari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Vuçiq i ka dhënë Urdhrin e Republikës së Serbisë në një gjerdan të madh në shenjë miqësie të fortë në mes të dyja vendeve.
Vuçiq dhe Orban, në një konferencë për media, kanë deklaruar se do të diskutojnë për të gjitha temat e rëndësishme për të dyja vendet, përveç vaterpolos.
Ata kanë biseduar për krizën energjetike të shkaktuar, sipas tyre, nga vendosja e sanksioneve nga Bashkim Evropian ndaj Rusisë.
“Kur shikoj sanksionet e energjisë, shoh se ne evropianët jemi xhuxhë të energjisë dhe po vendosim sanksione kundër gjigantit të energjisë”, ka theksuar Orban.
Sipas presidentit të Serbisë, të dyja vendet duhet që të bashkëpunojnë në çdo gjë, edhe duke anashkaluar procedurat.
“Ta përshpejtojmë, të mos humbim kohë në procedurat e kota burokratike, por le të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar njëri-tjetrin gjatë dimrit, sepse ne serbët mund të mbështetemi në Hungari, dhe Hungaria mund të mbështetet në Serbi”, ka thënë Vuçiq.
Ndërsa, Serbia dhe Hungaria ranë dakord ta shmangin burokracinë, për ta kaluar këtë kohë krize.
Të dy liderët e kanë komentuar raportin e Parlamentit e Evropian, në të cilin Hungaria është vlerësuar se nuk është një demokraci, dhe se ka shqetësime për funksionimin e sistemit kushtetues dhe zgjedhor, korrupsionin dhe konfliktin e interesit, lirinë e shprehjes, duke përfshirë pluralizmin mediatik në atë vend.
“Sa i përket vendimit të Parlamentit Evropian(PE), mendoj se është humoristik në fushën e batutave. Nuk po qeshim vetëm sepse mendoj se është një shaka mjaft e mërzitshme”, i është kundërpërgjigjur Orban.
Ndërsa Vuçiq, ka theksuar se ka “kohë që nuk u kam kërkuar falje që kur shkruajnë të njëjtat gjëra për ne, dhe nuk e kam idenë se çfarë po shkruajnë për t’ju thënë sinqerisht. Sot dhe nesër janë sërish këtu për të na mbajtur disa ligjërata dhe predikime”, raporton N1, transmeton Portali Dukagjini.