Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka diskutuar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe situatën e fundit në Kosovë në lidhje me targat.
Kështu shkroi ai më 5 dhjetor, në profilin e tij në Instagram, pas takimit që pati me Lajçakun në Beograd.
“E theksova domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe respektimin e të drejtave dhe vullnetit të popullit tonë. Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun konstruktiv, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit dhe kushteve më të mira, për jetën e të gjithëve qytetarëve”, ka shkruar Vuçiq.
Lajçak shkoi për vizitë në Beograd pasi Beogradi zyrtar javën e kaluar kritikoi ashpër vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të emëruar kreun e Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Serbia e ka konsideruar këtë vendim si shkelje, duke thënë se Rashiq nuk i përfaqëson serbët e Kosovës.
Më 1 dhjetor, Vuçiq e ka quajtur Kurtin “llum terrorist”, dhe ka paralajmëruar se Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin që organizohet më 6 dhjetor në Tiranë, midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë pjesë e bllokut evropian.
Për shkak të konflikteve të fundit me Qeverinë e Kosovës, pjesëmarrja e Presidentit të Serbisë, Vuçiq në Samitin BE-Ballkani Perëndimor është e pasigurt.