Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se vendimi nga ana e Kosovës për anulimin e dinarit serb është sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara nga viti 1999 dhe se Serbia do të gjejë institucione që do të marrin licenca për të mundësuar dërgimin e parave për serbët në Kosovë.
“Në secilin prej atyre akteve, është e drejtë e Serbisë të financojë aktivitete të caktuara, shëndetësi, arsim, pensione. Fatkeqësisht, Albin Kurti e ka marrë atë vendim me iniciativën e tij, me qëllimin e mëposhtëm: spastrim etnik të popullit serb nga territori i Kosovës”, ka thënë Vuçiq të premten në një konferencë për media.
Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që përcakton se euroja është valuta e vetme me të cilën mund të kryhen pagesa me para të gatshme.
Vendimi ka hyrë në fuqi, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e afatit të zbatimit.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është zotuar se do të sigurohet tranzicion i lehtësuar.
Në konferencë për media, Vuçiq ka thënë se do të bëjë gjithçka që serbët në Kosovë t’i marrin sërish të ardhurat e tyre.
Presidenti serb ka thënë se deri në mesditën e së premtes, për serbët në Kosovë janë ndarë më shumë se 5 milionë euro për përfitime të ndryshme.
Ai bëri të ditur se Serbia do të kërkojë zgjidhje se si t’i dërgojë paratë për serbët në Kosovë.
Kur foli për fondet që ndan Serbia, Vuçiq ka treguar se shteti i tij i ka 31.831 të punësuar në Kosovë, 29.115 pensionistë – prej të cilëve 4.700 i marrin pensionet në dorë – si dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale.
Vuçiq ka paralajmëruar se të hënën e javës së ardhshme, Serbia do të vazhdojë të dërgojë dinarë në Kosovë përmes një “transportuesi të licencuar dhe të autorizuar, kompanisë britanike Henderson, në përputhje me ligjet”.
Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.
“Banka Popullore e Serbisë nuk do të bisedojë me BQK-në”
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se shpresojnë në arritjen e një marrëveshjeje mes BQK-së dhe Bankës Popullore të Serbisë për të arritur marrëveshjes për pagesat për serbët në Kosovë.
Mirëpo Vuçiq e ka hedhur poshtë këtë mundësi.
“Ne do të gjejmë një zgjidhje. Nëse është e nevojshme, do të gjejmë banka private që do të marrin licenca gjithsesi, do të gjejmë zgjidhje për t’ua ndarë paratë njerëzve tanë”.
Sipas tij, Banka Popullore e Serbisë do t’i përmbahet ligjit dhe se Serbia do të japë informacione për vendimin përfundimtar për këtë çështje, por “prioritet do të jetë transporti dhe dërgimi i parave në Kosovë.”
Mes tjerash, Vuçiq ka paralajmëruar që Serbia do të kërkojë seancë urgjente në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të hënën, më 5 shkurt./REL