I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i kishte thënë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk do të lejohet që Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Republikën e Kosovës, të jetë një “Republikë Serpska e re” sipas gaztës serbe N1, transmeton Portali Dukagjini.
Por me këtë nuk ishte pajtuar i pari i serbëve Vuçiq, i cili i kishte thënë të dërguarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Sarrazin se “nuk do të ketë Kosovë të pavarur” siç planifikon Berlini.
“Nuk e dija që gjermanët po vendosnin për këtë, është mirë që Sarrazin e tha publikisht. Unë mund t’i them dhe e vlerësoj shumë, nuk do të ketë as një Kosovë të pavarur siç po planifikoni ju”, ishte kundërpërgjigjur Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se Serbia po lufton për politikën e saj për aq kohë sa mundet dhe se politika e saj përcaktohet me konkluzionin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Më tej, ai ka komentuar dhe postimin e medias kroate “Express” e cila e kishte krahasuar Vuçiqin e Adolf Hitlerin.
“Secili mund të publikojë çfarë të dojë, megjithatë një gjë më pickoi veshët. Imagjinoni që ata që e pritën Hitlerin me lule, ua thoshin këtë atyre që luftuan kundër tij që në ditën e parë. Kjo tregon më shumë për ata që e kanë bërë”, ka shtuar ai.