Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i cili gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit të Britanisë së Madhe, ka thënë se Rusia, përmes veglës së saj Serbisë, do të destabilizojë rajonin.
Siç raporton “Tanjug”,, Vuçiç theksoi se Serbia nuk është përfaqësues i Rusisë, Amerikës, Britanisë, Gjermanisë apo kujtdo tjetër, por krenohet me pavarësinë e saj.
“Serbia krenohet me pavarësinë e saj dhe kjo është arsyeja pse jam i zhgënjyer nga deklarata e ministrit të Jashtëm britanik Cameron se Serbia është protektorat i Rusisë, si dhe historitë se ne do të jemi ata që destabilizojnë rajonin”, tha Vuçiç para gazetarëve pas takimit me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandër Bocan Kharchenko.
“Ka një histori që ne do të bëjmë destabilizimin e rajonit. Më duket se shumë të tjerë po punojnë për të. Ne do të vazhdojmë të udhëheqim një politikë të pavarur si në çështjen e Federatës Ruse ashtu edhe në çështjen e të tjerëve”, potencoi ai.
Gjatë një raportimi para Komitetit për punë të jashtme të Parlamentit britanik, Cameron tha se për shkak të sulmit në Banjskë, që ndodhi më 24 shtator, ai qëndroi në Prishtinë më 4 janar, për të parë nga afër situatën.
Në shtator, një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një zyrtar policor. Gjatë përleshjeve, u vranë edhe tre sulmues. Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, por Beogradi mohoi çdo përfshirje.
Përgjegjësinë për sulmin, që Kosova e konsideron terrorist, e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
“Ne duhet të shprehim zhgënjimin në rritje lidhur me sjelljen e Qeverisë serbe. Sigurisht, ne nuk kemi ndryshuar mendim që t’i japim shans Serbisë për integrim euroatlantik. Por, mendoj se ka frustrim për këtë sjellje të tyre dhe ne duhet të jemi të qartë për këtë. Nëse BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë këtë zhgënjim, unë nuk e di, duhet t’i pyesni ata. Por, nga bisedat që kam pasur kam ndier se ka zhgënjim sepse Banjska ishte një moment i një rreziku të madh”, tha Cameron.
Kryediplomati britanik u pyet se pse Qeveria britanike nuk ka publikuar vlerësimin e saj për ndodhitë në Banjskë.
Ai tha se Qeveria britanike e di shumë qartë çfarë ndodhi më 24 shtator në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, duke shtuar se nëse Policia e Kosovës nuk do të arrinte të ndalte grupin e sulmuesve të armatosur, do të mund të kishte një sërë sulmesh të tjera ndaj stacioneve policore e do të vendoseshin barrikada.