Në një adresim për qytetarët serb, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka cilësuar si ditë të vështirë takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Vuçiq, tha se beson që me një “mrekulli”, do të arrihet një kompromis me palën kosovare.
Kurse për takimin me Kurtin, tha se nuk mund të cilësohet si i suksesshëm.
“Të nderuar qytetarë të Serbisë, një ditë e vështirë është prapa nesh, ishte një ditë e vështirë për të gjithë qytetarët dhe për mbarë vendin. Nuk mund të them se është përfunduar me sukses, por përmbahem nga çdo koment tjetër sepse shpresoj dhe dua të besoj se është e mundur që me ndonjë mrekulli të arrijmë një zgjidhje kompromisi në ditët në vijim”, ka thënë ai përmes një videoadresimi në instagram, raporton Novosti.
Vuçiq, u shpreh se do të vazhdoj të luftoj për paqe dhe stabilitet.
“Kjo është arsyeja pse unë do të vazhdoj të luftoj për paqen dhe stabilitetin. Thjesht dua t’ju them se ne po luftojmë për vendin tonë, se po e vazhdojmë atë luftë dhe se mezi pres të kthehem në vendin tonë”, vijoi ai.
Ndërkaq, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell, ka bërë të ditur se në takimin në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk u arrit asnjë marrëveshje. Në një konferencë për media ai tha, se përkundër dështimit për një marrëveshje, dialogu do të vazhdojë ditëve në vijim.