Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do ta vizitojë Beogradin, më 11 ose 12 janar, ka njoftuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Besoj në krijimin e raporteve më të mira me Shtetet e Bashkuara. Të shohim se si do të shkojë. Nuk do të jetë një bisedë e lehtë, por besoj se ne mund të flasim”, tha Vuçiq, gjatë një konference për media.
Chollet kishte anuluar një vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel, në dhjetor, për shkak se doli pozitiv me COVID-19.
Gjatë një konference për media në Beograd, Vuçiq ka thënë se pas zyrtarit amerikan, Serbinë do ta vizitojnë edhe negociatorët evropianë.
“Pas kësaj, unë pres arritjen e të gjithë këtyre ekspertëve nga Evropa”, shtoi ai.
Zyrtarët amerikanë dhe evropianë do të qëndrojnë në Beograd, në përpjekje për të përshpejtuar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Kosovës dhe Serbisë u është ofruar një propozim franko-gjerman në emër të Bashkimit Evropian, propozim i cili u mbështet edhe nga ana e SHBA-ve. Ndonëse ai nuk është bërë publik, i është prezantuar të dyja palëve.
“Ata veçse po sillen sikurse ky të ishte një propozim që nuk mund të refuzohet”, tha Vuçiq, duke insistuar se ky ende është draft-dokument, transmeton REL.
I pyetur se cila do të ishte zgjidhja e pranueshme për Beogradin, Vuçiq tha se Serbia i përmbahet Kushtetutës së saj, e cila pretendon se Kosova është pjesë e Serbisë.
Vuçiq, po ashtu, tha se Serbia do ta kundërshtojë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, tek i cili, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në maj.
Vuçiq, gjithashtu, foli për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, duke pretenduar se janë në pritje që shteti i dhjetë ta tërheqë njohjen, por pa specifikuar se për cilin shtet bëhet fjalë.
Ai pretendoi se nëntë shtete veçse e kanë tërhequr njohjen e Kosovës: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës thotë se vendin deri më tani e kanë njohur 106 vende. Autoritetet në Prishtinë, më herët, kanë hedhur poshtë pretendimet e Serbisë se shtete të ndryshme kanë tërhequr njohjen.