Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani.
Vuçiq ka thënë se Kosova po kërcënon paqen dhe stabilitetin me aktet e veprimet e njëanshme.
“I shpjegova z. Antonio Tajani qëndrimet e Serbisë, lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë e Serbi, si edhe deri më tash, do të sillet me seriozitet dhe përgjegjësi, duke respektuar obligimet dhe vendosmërinë e saj për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, të cilën Kosova e kërcënon me aktet e veprimet e njëanshme”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Ndërkaq, gjatë ditës së diel, qytetarët serbë janë duke mbajtur një protestë në sheshin “Car Lazar” në Mitrovicën Veriore.
Tajani ka bërë të ditur se ka biseduar edhe me Kurtin dhe Vuçiqin, dhe ka riafirmuar përkushtimin e Italisë për stabilitetin në Ballkan.
“Bisedova me presidentin serb, Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti, për të riafirmuar përkushtimin tonë të fortë për stabilitetin në Ballkan. Informova Palazzo Chigi. Ne mbështetemi në udhëheqjen e tyre që bën thirrje për moderim dhe kundër veprimeve të njëanshme. Italia është një aktor kryesor për paqen”, ka shkruar Tajani në Twitter.