Vuçiq ndihet krenar për “dështimin” e zgjedhjeve në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është shprehur krenar që vetëm pak serb dolën për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen në veri. Pasi, sipas tij, serbët në Kosovë nuk duan as të dëgjojnë dhe as t’u shërbejnë interesave të dikujt tjetër

Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se vetëm pak serb kanë marrë pjesë në zgjedhjet që po mbahen në veri të Kosovës.

Ai ka shtuar se serbët nuk duan as të dëgjojnë dhe as t’u shërbejnë interesave të dikujt tjetër, por siç ka thënë, duan t’i shërbejnë interesave të veta dhe duan paqe me të gjithë.

“Po tentojnë të vendosin pushtetin e atyre që nuk mund t’i marrin as një apo dy për qind të votave, të cilët nuk jetojnë në veriun e Kosovës. Dhe për këtë kanë kërkuar lejen dhe pajtimin tonë, dhe unë me krenari mund të them se deri në këto momente kanë dalë vetëm disa serbë, nuk e teprova, gjithsej disa serbë në të katër komunat”, është shprehur ai për mediumin serb Tanjug

Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen këtë të diel në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka instaluar kontejnerë, që shërbejnë si qendra votimi, pasi strukturat lokale të mbështetura nga Serbia, nuk kanë lejuar hapjen e shkollave si qendra të rregullta votimi.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk vërehet ndonjë tendencë për eskalim të situatës në veri dhe se Policia e Kosovës, sipas tij, nuk ka qenë kurrë më e përgatitur për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët.

Në zgjedhje nuk është duke marrë pjesë Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila, sikurse Beogradi zyrtar, ka bërë thirrje për bojkotimin e gjithë procesit.

Kusht i tyre për pjesëmarrje ka qenë formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si dhe tërheqja e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.

Aktualisht, në veri të vendit janë duke u zhvilluar zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetarë të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se 313 qytetarë votuan deri në orën 11:00.

Me gjithë kundërshtimet e Beogradit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mbështetur zhvillimin e procesit zgjedhor në veri.

Zgjedhjet e parakohshme po mbahen pasi kryetarët e këtyre komunave – të gjithë nga radhët e Listës Serbe – kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika