Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Kështu ka folur Vuçiq pas takimit me ministrin e punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom.
“Kemi biseduar edhe për situatën në Kosovë dhe e kam përsëritur qëndrimin e Serbisë, se do të përmbushet ajo që është thënë, porse nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo agjenci të tjera të specializuara apo institucione të OKB-së”.
“Dhe se për këtë haptazi i kam informuara të gjithë ata që marrin pjesë në negociata si dhe palën tjetër, dhe Borrellin, Lajçakun, Scholzin, Macronin, Blinkenin dhe të gjithë në glob me të cilët kemi biseduar”, tha Vuçiq, shkruan Tanjug.
Ndryshe, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë më 18 prill se rundi i ardhshëm i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është paraparë të mbahet më 2 maj në Bruksel, do t’i dedikohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai ka thënë do të ndërmerren “hapat më konkretë” përkitazi me formimin e Asociacionit, jo siç dëshiron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “por, siç është rënë dakord përmes katër marrëveshjeve nga vitet 2013 dhe 2015”.
Petkoviq ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë se pika e parë është prezantimi i projektstatutit të Asociacionit nga Ekipi Menaxhues, pasuar nga një diskutim për propozimin, i cili duhet të përfshijë të gjitha pikat e parimeve të përgjithshme nga viti 2015.