Vuçiq: Nuk do ta zbatojmë pjesën e marrëveshjes lidhur me anëtarësimin e Kosovës në OKB

“Nuk ka bisedime për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje", ka thënë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq

Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se qëndrimi i tij sa i përket marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën nuk ka ndryshuar “as edhe një pikë” dhe ka ripërsëritur se Beogradi nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Nuk ka bisedime për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të raporteve, pa tensione dhe pa konflikte, Serbia do t’i zbatojë”, deklaroi Vuçiq më 21 mars pasi u takua në Beograd me kryediplomatin e Italisë, Antonio Tajani, shkruan REL.

Në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre.

Edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk nënshkruan asnjë dokument në Ohër, ndërmjetësuesit evropianë thanë se presin që palët të zbatojnë gjithçka për të cilat u pajtuan liderët.

Kosova dhe Serbia u pajtuan se nuk do të bllokojnë zbatimin e asnjë neni të marrëveshjes.

Marrëveshja, që njihet edhe si propozimi evropian, kërkon nga Beogradi që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Kosova, në anën tjetër, është pajtuar që të punojë në ofrimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, bazuar në marrëveshjet paraprake të arritura në dialog.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 21 mars se faktorët ndërkombëtarë duhet ta “dënojnë” Serbinë për mosnënshkrimin e marrëveshjes në Ohër.

“Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara, nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën, meqenëse Marrëveshja Bazë është njohje de facto. Pra, unë besoj se kjo është thelbësore për procesin dhe është e rëndësishme që të gjithë partnerët, aleatët, miqtë tanë të vendeve demokratike në Perëndim, dhe jo vetëm, të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ne jemi konstruktivë, të përkushtuar, e kreativ si asnjëherë”, deklaroi Kurti.

Marrëveshja drejt normalizimit nuk përmend në mënyrë eksplicite njohjen e ndërsjellë, por aty thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Në Ohër, palët u pajtuan që marrëveshja të bëhet pjesë integrale e procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 21 mars, se do të dëshironte “që paqja të arrihej në Ukrainë menjëherë, sepse kjo do ta bënte më të lehtë pozicionin e Serbisë”.

“Nuk jam i interesuar se kush do të fitojë dhe kush do të humbë. Qytetarë e Serbisë janë të interesuar vetëm për paqe”, tha Vuçiq.

Ai përsëriti se lufta në Ukrainë, “e ka bërë pozicionin e Serbisë disa herë më të vështirë”, por shtoi se “kemi arritur ta ruajmë paqen”.

Edhe pse Serbia ka përkrahur disa rezoluta të OKB-së që e dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, Serbia është një prej pak shteteve evropiane që kanë refuzuar t’i bashkohen politikës së BE-së dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika