Ndonëse bëri të ditur se qeveria e re e Serbisë do të formohet deri në fund të korrikut, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, gjatë fjalimit të tij në kuvend, nuk la pa e përmendur edhe Kosovën.
Pasi bëri betimin e tij si president i rizgjedhur, ai ka thënë se çështja e Kosovës është e lidhur me krizën në Ukrainë.
“E ndërlidhur me krizën në Ukrainë, çështja e Kosovës do të jetë edhe më e rëndë për ne që të zgjidhet”, ka thënë Vuçiq.
Para se të bënte betimin, Vuçiq u është drejtuar mbështetësve të tij.
“Do të ruaj paqen, stabilitetin, vendin tonë dhe Kosovën”, u ka thënë Vuçiq përkrahësve të tij para se të bënte betimin.
Ai bëri betimin për mandatin e dytë pesëvjeçar në një seancë solemne të kuvendit të Serbisë, para deputetëve, anëtarëve të qeverisë, gjyqësorit, ushtrisë, policisë, bashkësive fetare dhe 75 përfaqësuesve të trupit diplomatik.
Ndërkaq, një numër i madh i qytetarëve serbë nga komunat veriore të Kosovës, të martën e 31 majit janë nisur drejt Beogradit për t’i dhënë mbështetje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Siç shkruan e përditshmja serbe “B92”, me pankarta në duar, serbët e Kosovës janë nisur drejt Serbisë në orët e hershme të së martës.
“President, e gjithë Kosova janë më ty”, “President faleminderit që po e mbron Kosovën”, “Derisa të jetë president Vuçiq, do të ketë serbë në Kosovë”, ishin disa nga pankartat e tyre.
Ndryshe, më 3 prill, në Serbi u mbajtën zgjedhje të rregullta presidenciale dhe të parakohshme parlamentare, si dhe zgjedhje për disa qytete.
Vuçiq fitoi zgjedhjet presidenciale në raundin e parë.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Zgjedhor në Serbi, Vuçiç, kishte fituar zgjedhjet presidenciale të tre prillit duke marrë 58.9 për qind të votave.
I dyti, sipas KQZ-së serbe, u radhit kundërkandidati i Vuçiç-it, Zdravko Ponos, me 18.32 për qind të votave.
Partia e Aleksandër Vuçiq, ka fituar bindshëm edhe zgjedhjet parlamentare, duke marrë 42.97 për qind të votave.
Në mbështetje të Vuçiqit, serbët e Kosovës nisen drejt Serbisë