Vuçiq pas takimit bilateral: S’kemi udhërrëfyes për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka përfunduar takimin me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit bilateral me ndërmjetësuesit e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka deklaruar se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes”, për daljen nga kriza në veri të Kosovës.

“Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di…kur kemi kamionë në pritje…”, ka thënë ai, duke iu referuar bllokimit të qarkullimit të kamionëve me mallra serbe në kufi me Kosovën.

Në lidhje me zgjidhjen e situatës në Kosovë, Vuçiq është shprehur se ka frikë se “çdo gjë ka shkuar shumë larg”.

“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyçe, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë moment”, ka thënë tutje Vuçiq, raporton REL.

Po ashtu, Vuçiq nëpërmjet një postimi në rrjetin social Instagram, ka thënë se gjatë takimit bilateral, ka paraqitur një raport për “lëndimet e serbëve të arrestuar” në Kosovë.

“Sot kam paraqitur një raport për lëndimet e serbëve të arrestuar, të cilët nuk janë fajtorë, për të parë se në çfarë gjendje fizike janë, kush i ka rrahur, si janë rrahur brutalisht si askund tjetër në Evropë, për të parë se si një popull persekutohet vetëm se dëshiron të jetë vetvetja”, ka shkruar ai.

Ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë- Serbi kanë zhvilluar të enjten takime të ndara bilaterale, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin  serb Vuçiq.

Pas takimit me Kurtin, Borell kishte shkruar në Twitter se “idetë konstruktive dhe gatishmëria për kompromis janë ato që nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veriun e Kosovës”.

“Nga palët pritet ulja e tensioneve dhe përmbushja e obligimeve të tyre, pa parakushte”, ka shkruar Borrell në rrjetin social Twitter, në nisje të takimit me udhëheqësin serb.

Takimet në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut,  Kurti, dhe Vuçiq, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.

Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.

Ai ka thënë se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.

Kujtojmë se, që nga fundi i majit, tensionet në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Kryetarët e rinj u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po mbajnë protesta të vazhdueshme në tri komunat veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në përleshje mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Situata mes Kosovës dhe Serbisë është përkeqësuar më 14 qershor, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës.

Serbia ka thënë se ata “u arrestuan thellë brenda territorit të saj”, por Kosova ka njoftuar se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Serbisë që të lirojë pa kushte policët. Ndërkaq, BE-ja dhe SHBA-ja i kanë paraqitur tri kërkesa autoriteteve në Kosovë për shtensionimin e situatës. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përgjigjur duke paraqitur një plan të tij pesëpikësh.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika