Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë të qartë se kush është fajtori për situatën e krijuar në veri të Kosovës.
Gjatë hyrjes në samitin e liderëve evropianë që do të mbahet në Kishinau të Moldavisë, Vuçiq ka thënë se situata është shumë e ndërlikuar.
“SHBA nuk po ndryshon kursin, thjesht është e qartë se kush është fajtori për një situatë. Por strategjikisht asgjë në veçanti në lidhje me Kosovën dhe situatën në rajon nuk do të ndryshojë. Ajo që është e rëndësishme është që ata të na dëgjojnë. Kjo është hera e parë që diçka e vërtetë u ndesh me dënimin amerikan, shpresoj të jetë e njëjta gjë me evropianët. Situata është shumë e ndërlikuar”, tha ai.
Sipas tij, zgjedhjet në veri nuk janë legjitime. Kjo, siç thotë ai, për shkak të pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve, njofton Tanjug.
Po ashtu, ai ka potencuar se nuk pret të ketë takime të lehta.
“Nuk do të ketë takime të lehta, është e rëndësishme që ne të mundohemi të ruajmë stabilitetin. Kam folur sot në mëngjes me njerëzit nga veriu i Kosovës dhe i kam lutur për paqe dhe vendosmëri. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që disa njerëz të kuptojnë se 3.4 për qind nuk janë zgjedhje legjitime dhe të mos e ngacmojnë popullin tonë. Do të bëj një bisedë me Macron-in dhe Scholz-in dhe do të përpiqem t’i kthej gjërat në normalitet”, ka thënë Vuçiqi.
Vuçiqi ka thënë se do të ketë takime me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe me shumë kryeministra dhe presidentë të tjerë.
“Ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën që gjërat të kthehen në normalitet dhe të depërshkallëzohen, dhe nëse kjo do të ndodhë – duhen dy për tango dhe kjo nuk varet vetëm nga ne”, theksoi Vuçiq.
Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar për një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet ta takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.