Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar takimin e djeshëm me emisarët nga BE-ja dhe ShBA-ja duke paralajmëruar një fjalim të hënën lidhur me të gjitha problemet dhe zgjedhjet që Serbia duhet të bëjë.
Vuçiq tha se dita e djeshme ishte një nga ditët më të vështira për Serbinë, duke theksuar se do të kenë probleme në të ardhmen.
“Dje ishte një nga ditët më të vështira për vendin tonë. Kurrë nuk u jam fshehur njerëzve në Serbi kur ndodhin gjëra të tilla. Do të kemi shumë telashe dhe probleme me të cilat do të përballemi në të ardhmen, për këtë na duhet unitet”, tha Vuçiq.
Vuçiq shtoi se Serbia nuk mori mbështetjen që priste.
“Nga ata që e prisja, për shkak të përgjegjësisë që duhej të tregonin, përfaqësuesit tanë politikë – nuk e morëm. Ne morëm bashkimin e tyre, pavarësisht se ata vetëm pak ditë më parë thoshin të kundërtën – për një temë ku askush nuk duhet të dalë kundër askujt. Fatkeqësisht, ata zgjodhën të dilnin kundër Serbisë edhe këtë herë”, ka thënë Vucic, shkruan “Danas”.
Gjatë ditës së djeshme i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, së bashku me këshilltarët e politikës së jashtme të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe atë amerikan Escobar, ka vizituar Prishtinën dhe Beogradin, ku është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.