Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se “teknikisht mund të paraqitet në atë takim… por, të flas me Kurtin jo”.
Para disa ditësh, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme, Josep Borrell, ka njoftuar se javën e ardhshme mund të ketë një takim mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
“Bëj thirrje për qetësi në terren dhe duke qenë se situata është sërish në krizë, i bëj thirrje dy palëve për një takim për menaxhimin e krizës javën e ardhshme”, kishte thënë kreu i diplomacisë evropiane në deklaratat pas mbërritjes në takim me ministrat e Mbrojtjes të NATO-s.
Ndërsa, Kurti thënë se do të japë një përgjigje në fillim të javës së ardhshme nëse do të udhëtojë drejt Brukselit për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Kurti ka deklaruar se kishte kërkuar që takimi të ishte javën që shkoi, gjersa përmendi dy data të mundshme për takimin e javës që vjen.
“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesëpikësh. Mirëpo tash kemi një kërkesë që takimi të jetë javën e ardhshme, një herë u tha data 22, pastaj 23, pastaj prapë 22…me siguri që do të japim një përgjigje në fillim të javës së ardhshme”, ka deklaruar Kurti.