Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se nuk do të urdhërojë ushtrinë serbe të kalojë kufirin me Kosovë, duke theksuar se do t’i tërheqë forcat ushtarake nga zona pranë kufirit me Kosovën.
Sipas tij, përshkallëzimi i tensioneve nuk do të ishte në të mirë të Serbisë, kur vije puna për tu bërë anëtare e Bashkimit Evropian.
“Pse kjo do të ishte e dobishme për Beogradin? Cila do të ishte ideja? Të na prishin pozicionin që kemi ndërtuar prej një viti? Të shkatërrohet brenda një dite? Serbia nuk dëshiron luftë”, ka thënë Vuçiq për Financial Times,.
“Serbia nuk do të përfitonte nga kjo sepse do të rrezikonte pozitën e saj në negociatat me Prishtinën”, ka shtuar Vuçiq.
Këto deklarime të tij, vijnë pas Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendosjen e trupave serbe pranë kufirit me Kosovën.
Gjatë një bisede me gazetarët më 29 shtator, koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.
Kurse, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.
Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”.
Qeveria: Serbia ka vendosur afër kufirit edhe artilerinë e rëndë, lëvizjet e ushtrisë u bën nga tri drejtime
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës përmes një komunikate ka theksuar se lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë në tri drejtime.
“Lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tre drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës. Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë”.