Pas vendimit të serbëve për t’u larguar nga të gjitha institucionet e Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se po shpreson që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe EULEX do të kryejnë punën e policisë në Veri të Kosovës.
Kështu është shprehur ai në TV Pink, teksa ka shtuar se shpreson që NATO-ja do të parandalojë ndonjë vendim të mundshëm të Kosovës për dërgimin e njësive speciale në veri.
“Mendoj se diçka e tillë do të kontribuojë në paqe. Nëse amerikanët mendojnë që këtë punë mund ta bëjnë shqiptarët, e diçka e tillë nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vullnetin e popullit, frikësohem se kjo situatë mund të çojë në katastrofë”, ka thënë Vuçiq teksa ka shtuar se “shpresoj se NATO-ja do të ketë mençuri të mjaftueshme për të parandaluar këtë gjë”.
Ai ka thënë të dielën se është e rëndësishme që Serbia të sillet “me seriozitet dhe me përgjegjësi”.
Teksa ka folur për zhvillimet e fundit pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shkallëzimin e vendimit për targat, ka thënë se bëhet fjalë për ndryshime të mëdha tektonike, politike.
Ai ka komentuar edhe tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës, nga funksionet shtetërore.
Sipas Vuçiq, ky vendim i serbëve vjen pas 10 vjetësh.
“Nuk mund të them se është një moment i lehtë, por nuk është i pari apo i fundit. Është e rëndësishme që të veprojmë me përgjegjësi dhe seriozitet. Po flasim për ndryshime të mëdha tektonike politike”, ka thënë presidenti në një paraqitje, i ftuar në TV Pink.
“Pas 10 vjetësh, serbët morën vendimin që të largohen nga institucionet e Prishtinës. Ne do të kemi kohë t’u përgjigjemi historive të pakuptimta se si po e bëjnë këtë me urdhër të Beorgadit. Ata kurrë nuk kanë dashur të shohin realisht problemet me të cilat ballafaqohen serbët”, shtoi ai.
Mbi 100 zyrtarë policorë serbë, të cilët janë të punësuar në Policinë e Kosovës, i kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre me shkrim në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut, të dielën e gjashtë nëntorit.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pasur dorëheqje të punonjësve policorë të komunitetit serb në veri të vendit.
Ndryshe, që nga një nëntori, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.