Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është takuar me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, temë e takimit të të cilëve ishte dialogu Kosovë-Serbi.
Sipas njoftimit të presidencës së Serbisë, Vuçiqi i ka kërkuar Sarrazit themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
“Presidenti theksoi se pret mbështetje konstruktive për dialogun dhe gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi që do të mundësonte stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke u bazuar marrëveshjet ekzistuese dhe mbi të gjitha themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, gjë që nuk është bërë për nëntë vjet”, thuhet në njoftim.
Gjatë këtij takimi, presidenti serb ka folur edhe për bashkëpunimin rajonal, duke përmendur Ballkanin e Hapur.
“Serbia është e angazhuar fuqishëm në të gjitha aktivitetet e organizuara në kuadër të Procesit të Berlinit dhe nisma e Ballkanit të Hapur është një tjetër qasje proaktive e vendit tonë për integrim rajonal”, ka shtuar Vuçiq.
Sipas presidencës së Serbisë, Sarrazin, ka thënë se politika e zgjerimit dhe puna e forcimit të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë prioritet i Gjermanisë në vitet e ardhshme.
Ndërkaq, Manuel Sarrazin, duke folur gjatë një forumi në Serbi, ka thënë se është shumë me rëndësi që të liberalizohen vizat për Kosovën.
Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk mund të ketë sukses pa një proces të suksesshëm të zgjerimit.
“Liberalizimi i vizave për Kosovën është i rëndësisë së madhe pasi nënvizon kredibilitetin e BE-së. Nuk duhet humbur këtë mundësi. BE-ja nuk mund të arrijë sukses pa një proces të suksesshëm të zgjerimit”, ka thënë Sarrazin, që ka bërë thirrje edhe të hapen negociatat për anëtarësim në BE me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
Manuel Sarrazin: “When it comes to the visa liberalisation issue, Germany is willing to provide a concrete answer in the future. The visa liberalisation of Kosovo is very important because it underlines the credibility of the EU. We should never miss this opportunity.”#EU
— Evropski pokret (@EvropskiPokret) May 10, 2022