Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të enjten e nëntë shkurtit do të takohet me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Takimi do të mbahet në orën 09:00 në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit serb, ka njoftuar Shërbimi Informativ i Presidentit të Serbisë, shkruan Kosovo-Online.
Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Vjenë tashmë kanë vizituar Kosovën në kuadër të një turi rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Të hënën e gjashtë shkurtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Në mesin e ambasadorëve të pranishëm në takim ishin, ai i SHBA-së, Italisë, Francës, Gjermanisë, Greqisë, Finlandës.
Pas takimit, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se aty është diskutuar për dialogun Kosovë – Serbi si dhe për Asociacionin.
Në njoftim thuhet se aty është diskutuar për gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit javën e kaluar, si kushte për themelimin e Asociacionit.
“Temë qendrore e diskutimit ishte procesi i dialogut, propozimi evropian dhe rruga përpara. Kryeministri Kurti i njoftoi ata me qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit javën e kaluar në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013”, thuhet në njoftim
Ndër të tjera, sipas njoftimit, ai tha se Kosova “ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog përmes qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative”.
Po ashtu, Kurti ka shprehur gatishmërinë për takime të radhës në “Bruksel të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”.
Ky takim ishte zhvilluar para një dreke pune midis shefit të ekzekutivit, Albin Kurti dhe zëvendësit të tij, Besnik Bislimi me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.