Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të hënën e 12 dhjetorit ka thënë sërish se “nuk ka dorëzim”, dhe ka kërkuar nga serbët e Kosovës që të jenë të vendosur dhe të mos bien pre e provokimeve.
“Pa marrë parasysh sa të tjerë – nuk ka dorëzim. U bëj thirrje serbëve në veri të Kosovës që të jenë të vendosur dhe të mos bien në provokime”, ka shkruar Vuçiq në Twitter.
Ма колико било тешко – нема предаје. Позивам Србе на северу Косова и Метохије да буду сталожени и да не наседају на провокације.https://t.co/zad2KOBRVi
— Александар Вучић (@avucic) December 12, 2022
Ndryshe, të dielën, Vuçiq, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të jetë në veri.
Në një konferencë për media, Vuçiq ka deklaruar se për shkak të situatës së krijuar në veri të Kosovës, e diela e 11 dhjetorit ka qenë dita më e vështirë për të qëkur është shpallur president.
Ai ka thënë se serbët në Kosovë po i pret një natë e vështirë.
“Një natë e vështirë na pret, kemi garanci nga KFOR-i se nuk do të ketë veprime të dhunshme. Shpresoj të kemi garanci nga KFOR-i, nga Evropa, se nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme ndaj demonstruesve. Shpresojmë që kështu do të shkojë. Ne vazhdojmë të flasim me ta, kjo është puna jonë. Do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin ”, ka thënë Vuçiq.
“Sot për mua është sigurisht dita më e vështirë qëkur kam qenë president apo kryeministër i Serbisë, ndoshta nata më e vështirë më pret”, shkruan Danas.
Ai tutje ka shtuar se ka disponim të njerëzve në Serbi, siç thotë ai, për ta mbrojtur vendin.
“Kurrë që nga ekzistenca e APJ-së nuk kemi pasur këtë lloj rekrutimi dhe këtë lloj reagimi, disponimin e njerëzve për t’u vënë në dispozicion të atdheut të tyre”, ka thënë ai teksa shtoi se “në terren është një luftë e vështirë e një kombi për mbijetesë në vatrat e tij”.
Ndryshe, në Mitrovicën e Veriut, situata aktualisht është e qetë. Forcat e policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të dislokuara në veri.
Ndërkaq, të dielën e 11 dhjetorit ka ndodhur një shpërthim rreth orës 22:00 afër shkollës teknike në veri të Mitrovicës.
Në afërsi të kësaj shkolle, është hedhur një mjet piroteknik. Megjithatë shpërthimi ishte mjaft i fortë.