Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës në mëngjesin e së martës së 22 nëntorit ka thënë se ka kërkuar nga ata që të ruajnë paqen dhe stabilitetin, raporton Novosti.
Ky takim i tij me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shtyrë vendimin për targat ilegale serbe për 48 orë.
“Ne jemi me serbët tanë nga Kosova. Ne vetëm kërkuam që të jenë të kujdesshëm, të jenë të qetë, të ruajnë paqen dhe stabilitetin, t’i përgjigjen arrogancës së të tjerëve, ashtu siç përgjigjen gjithmonë njerëzit e denjë. Ne vetëm duam të mbrojmë veten dhe asgjë më shumë”, ka thënë Vuçiq përmes një videoje në Instagram.
Ndërkaq, në orët e vona të së hënës, kryeministri Kurti ka pranuar kërkesën e ShBA-së për shtyrjen e afatit kohor prej dy ditësh për implementimin e vendimit për gjoba ndaj ngasësve të automjeteve me targat ilegale ‘KM’.
“E pranoj kërkesën e tij [Jeffrey M. Hovenier] për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme “KM” (dhe të tjera)”, ka shkruar Kurti në Twitter.