Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se vënia e sanksioneve të ShBA-së ndaj Aleksandar Vulinit është lajm i mirë për rajonin.
Sipas saj, me këtë veprim, Amerika dëshmon zero tolerancë për “fashizmin dhe së dyti, e ndëshkon shefin e “trurit” të rebelimit të serbëve në veri të Kosovës dhe inkursorin e ndikimit rus”.
“Lidhjet e Kosovës me ShBA janë ekzistenciale, prandaj çfarëdo shmangie e koordinimit me aleatin dhe mikun e madh dhe secila përplasje me të, është rënie e lidershipit kosovar në kurthin serb”, ka shkruar Halimi.
Aleksandër Vulin është bërë pjesë e listës së personave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka njoftuar Departamenti Amerikan i Thesarit.
Në faqen zyrtare të tyre thuhet se Vulin kishte shfrytëzuar pozicionin e tij për të lehtësuar aktivitetet politike dhe interesat personale dhe për rrjedhojë, kishte lehtësuar aktivitetet ruse në Serbi dhe rajon, duke cenuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Thesari nuk do të hezitojë t’i synojë aktorët që abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale duke minuar qeverisjen efektive dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. “Veprimi i sotëm mban përgjegjës Aleksander Vulin për aktet e tij korruptive dhe destabilizuese që kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet keqdashëse të Rusisë në rajon”.