Pas sanksionimit të Aleksandar Vulinit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ka reaguar shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela.
Përmes një postimi në Twitter, Vela ka thënë se Vulin është “piun rus”, i ekspozuar për rolin e tij destabilizues në rajon.
“Aleksandar Vulin, kreu i Shërbimit Informativ të Serbisë, është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara. Një piun rus i ekspozuar për rolin e tij destabilizues në rajon”, ka shkruar Vela.
Aleksandar Vulin, head of Serbia’s Intelligence Service has been sanctioned by the United States. A Russian pawn exposed for his destabilizing role in the region.https://t.co/pFq6dRbkKr
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) July 11, 2023
Aleksandër Vulin është bërë pjesë e listës së personave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka njoftuar Departamenti Amerikan i Thesarit.
Në faqen zyrtare të tyre thuhet se Vulin kishte shfrytëzuar pozicionin e tij për të lehtësuar aktivitetet politike dhe interesat personale dhe për rrjedhojë, kishte lehtësuar aktivitetet ruse në Serbi dhe rajon, duke cenuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Thesari nuk do të hezitojë t’i synojë aktorët që abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale duke minuar qeverisjen efektive dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. “Veprimi i sotëm mban përgjegjës Aleksander Vulin për aktet e tij korruptive dhe destabilizuese që kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet keqdashëse të Rusisë në rajon”.