Partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (VV), ka dalë në mbështetje të frontit të majtë francez, “Nouveau Front Populaire”, për të kundërshtuar rrezikun e së djathtës ekstreme në zgjedhjet e ardhshme në Francë.
Në një deklaratë të bërë publike, VV-ja shprehu shqetësimet e saj për mundësinë e një fitoreje të së djathtës ekstreme, e cila mund të ketë pasoja të rënda për Evropën dhe Kosovën.
Vetëvendosja, si një parti socialdemokrate dhe pjesë e familjes socialdemokrate evropiane (PES-it, Aleancës Progresive, Internacionales Socialiste), theksoi se një qeveri e udhëhequr nga e djathta ekstreme në Francë do të rrezikonte angazhimin e Bashkimit Evropian për zgjerim me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! si subjekt socialdemokrat dhe si pjesë e familjes socialdemokrate evropiane (PES-it, Aleancës Progresive, Internacionales Socialiste) shpreh shqetësimin e saj mbi gjasat e fitores së një qeverie të udhëhequr nga e djathta ekstreme në Francë. Kjo do të rrezikonte jo vetëm rizotimin e Bashkimit Evropian për angazhim drejt zgjerimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor, por do të përhapte edhe më tej narrativat destruktive dhe dezinformatat e ekstremit të djathtë për Kosovën, në veçanti të ushqyer nga boshti Moskë-Beograd”, thuhet në njoftim e VV-së, në Facebook.
Sipas VV-së, një fitore e së majtës socialdemokrate është e vetmja mundësi për të ruajtur vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesës të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore.
“Në këto rrethana mbesim me shpresë që bashkimi i subjekteve të majta nën emrin ‘’Nouveau Front Populaire’’ do të triumfojë dhe do ta parandalojë fitoren dhe ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme, gjë që do të ishte fatale për shoqërinë dhe vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesës jo vetëm në Francë, por kudo nëpër kontinentin e Evropës.
Jemi të bindur që, megjithatë, populli francez përmes zgjedhjeve dhe rrugëve demokratike do të reduktojë mbështetjen e këtij kërcënimi të ekstremit të djathtë. Për këtë gjë, si asnjëherë më parë, është e nevojshme dhe e domosdoshme bashkimi i të majtës socialdemokrate si e vetmja mundësi për të ruajtur vlerat që janë ndërtuar me mund dhe sakrificë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore”, thuhet më tej.
Kryetari i VV-së dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në platformën X, ftoi qytetarët francezë që të mbrojnë demokracinë duke votuar në zgjedhjet e datave 30 qershor dhe 7 korrik.
“Unë mbështes bashkimin e së majtës të mbledhur nën emrin Nouveau Front Populaire si ata që mbrojnë vlerat demokratike dhe drejtësinë sociale,” shkroi Kurti, duke i bërë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.
Like many politicians around the world, I am watching the developments in France with concern, especially the popularity of ideas and rhetoric that deepen the divides between the population and Europe instead of bridging them. As the leader of the social democratic party…
— Albin Kurti (@albinkurti) June 28, 2024