Webfaqet zyrtare të komunave nuk janë duke funksionuar si duhet, e disa nuk funksionojnë fare.
Komunat e Kosovës, i përdorin webfaqet e tyre, për shumë arsye e nevoja të tyre, një nga to është edhe për të qenë transparent për vendimet apo shpalljet e ndryshme që i marrin.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), një pjesë të fajit ia ka lënë kompanisë përgjegjëse e cila është e kontraktuar për t’i mirëmbajtur sistemet e webfaqeve.
Sipas tyre, këto webfaqe janë jashtë funksionit për shkaqe teknike.
“Shkaqet teknike kane te bëjnë fillimisht me zhvillim te dobët te ueb faqeve, vjetërsinë e sistemit dhe teknologjisë se përdorur si dhe mirëmbajtje se dobët nga kompania përgjegjëse e kontraktuar për mirëmbajtje te sistemeve”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së, të dhënë për Portalin Dukagjini.
Nga MAPL, po ashtu, kanë bërë të ditur se sistemi i mirëmbajtjes tash e tutje do të bëhet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
Në lidhje me këtë çështje, Portali Dukagjini, ka kontaktuar me drejtorin ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimin, i cili e ka kritikuar MAPL-në për joseriozitet.
Ai ka theksuar, se ia kanë bërë të ditur MAPL-së, problemet me webfaqe, por që sipas tij, ministria në fjalë nuk ka reaguar si duhet.
“Në kuadër të kësaj, e kemi dërgu një kërkesë tek Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), që merret edhe me menaxhimin e webfaqeve të komunave dhe po shihet që ende nuk ka një reagim serioz nga kjo ministri”, ka thënë Ibrahimi.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së, po ashtu ka thënë se mosfunksionimi i webfaqeve komunale, mund t’i dëmtojnë komunat sidomos në llogaridhënie.
“Webfaqet komunale duhet të jenë funksionale sepse pastaj, komunat mund të ndëshkohen edhe në çështje të tjera, sa i përket skemës së grantit të performancës, pastaj qytetarët mund të ankohen se komunat nuk janë transparente, ndaj qytetarit, nuk paraqiten hargjimet etj”, është shprehur ai.
Ndërkaq, Ukë Krasniqi, kryesues i kolegjiumit për IT, në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, fajin e ka hedhur te kompania kontraktuese, që sipas tij nuk e ka kryer punën e tyre si duhet.
Sipas tij, arsyetimet e kompanisë në fjalë janë të pajustifikueshme.
“Unë jam edhe pjesë e grupit punues, si pjesë e kolegjiumit të IT-ve, kemi pas takime edhe me kompaninë, ajo ka gjetë një arsyetim i cili është i pajutifikueshme. Kompania e ka obligim t’i mirëmbajë webfaqet, nuk është marrë seriozisht me këtë problem”, ka deklaruar ai.
Krasniqi ka bërë të ditur, se vazhdimisht merr ankesa nga zyrtarët e komunave të Kosovës, për problemet e tyre me webfaqe.