Aktori amerikan Will Smith ka dhënë dorëheqjen nga Akademia e Oscars, pasi goditi prezantuesin Chris Rock në skenë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar fundjavën e kaluar, këtë e bëri të ditur vetë aktori në një deklaratë të premten.
“Unë po jap dorëheqjen nga anëtarësimi në Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Filmit dhe do të pranoj çdo pasojë të mëtejshme që Bordi i konsideron të përshtatshme,” thuhet në deklaratën e tij.
David Rubin, President i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit, tha në një deklaratë të premten se organizata ka pranuar dorëheqjen e menjëhershme të Smith.
“Ne do të vazhdojmë të ecim përpara me procedurat tona disiplinore kundër z. Smith për shkelje të Standardeve të Sjelljes së Akademisë”, shtoi Rubin.
Veprimet disiplinore nga Akademia përfshijnë pezullimin ose përjashtimin, së bashku me “sanksione të tjera të lejuara nga aktet nënligjore dhe standardet e sjelljes”, thuhet kjo nga organizata, përcjell CNN.
Në vend të kësaj, Smith është larguar me dëshirë nga organizata e njohur e yjeve të filmit, regjisorëve dhe producentëve. Kështu Smith nuk do të jetë më në gjendje të votojë për filmat dhe shfaqjet e nominuara për Oscar çdo vit. Puna e tij, megjithatë, do të jetë ende e pranueshme për shqyrtimin dhe nominimet e ardhshme të Oscars.
Sipas CNN, ai ka deklaruar po ashtu se me veprimin e tij ka lënduar jo vetëm Chris Rockun por edhe familjen, miqtë dhe fansat.
“Lista e atyre që kam lënduar është e gjatë dhe përfshin Chris, familjen e tij, shumë nga miqtë dhe të dashurit e mi, të gjithë ata që ishin të pranishëm dhe audiencën globale. Kam tradhtuar besimin e akademisë. I kam hequr të nominuarve dhe fituesve të tjerë mundësinë për të festuar dhe për t’u lavdëruar për punën e tyre të jashtëzakonshme. Më është thyer zemra”.
“Dua ta kthej fokusin tek ata që meritojnë vëmendje për arritjet e tyre dhe të lejoj akademinë të kthehet në punën e jashtëzakonshme që bën për të mbështetur krijimtarinë dhe artin në film. Ndryshimi kërkon kohë dhe unë jam i përkushtuar të bëj punën për të siguruar që kurrë më të mos lejoj që dhuna të kapërcejë arsyen”, ka tënë Smith.
Ai fillimisht i kërkoi falje Akademisë gjatë fjalimit të tij televiziv për pranimin e aktorit më të mirë, rreth dyzet minuta pas shuplakës. Por në atë fjalim, ai nuk i kërkoi falje Rokut. Smith i kërkoi falje publike Rock të nesërmen përmes mediave sociale.
Por ai ishte shumë më kritik ndaj vetes të premten, duke i quajtur veprimet e tij “tronditëse, të dhimbshme dhe të pafalshme”.
E nga Akademia Oscar vetëm një pjesë e vogël e njerëzve janë dëbuar ndonjëherë, ata përfshijnë Harvey Weinstein, Bill Cosby dhe Roman Polanski.