Ish-koordinatori për administratën civile në Kosovë, Bernd Wulffen, në një intervistë për DW ka diskutuar për gjendjen në Kosovë dhe zhvillimet e fundit.
DW: I nderuar zoti Wulffen, disa politikanë gjermanë, së fundmi edhe ministri i Bujqësisë Cem Ozdemir gjatë vizitës së tij në Kosovë, duke iu referuar ngjarjeve të viteve nëntëdhjetë në këtë vend, flasin për gjenocidin ndaj popullatës shqiptare prej palës serbe. A e ndani ju këtë mendim?
Wulffen: Kam dëgjuar shumë gjëra të tmerrshme, madje dhe kam parë disa nga varrezat masive që vizitoheshin rregullisht nga të afërmit. Duhet të ketë pasur ngjarje të tmerrshme, duke përfshirë rastet kur kosovarët janë futur me forcë në shtëpi dhe më pas janë hedhur në erë. Krime të tilla kanë ndodhur. Megjithatë, është e vështirë për mua ta quaj këtë gjenocid, sepse përkufizimi im për gjenocidin është ndoshta pak më i gjerë.
DW: Politikanët gjermanë ndihmuan në ndërtimin e strukturave demokratike në Kosovë para se Kosova të bëhej e pavarur. A mendoni se këto struktura demokratike funksionojnë sot në Kosovën e pavarur?
Wulffen: Gjatë kohës sime në Kosovë, gjithçka drejtohej përmes UNMIK-ut, Kombet e Bashkuara funksiononin si një lloj qeverie në realitet. Kosova nuk kishte në fillim parlamentin e vet. Jemi përpjekur që gradualisht të ndërtojmë struktura dhe të përfshijmë kosovarët në përgjegjësinë qeverisëse. Sot, Kosova ka qeverinë dhe parlamentin e saj funksional – edhe pse me vështirësi.
DW: Prishtina zyrtare ka pohuar vazhdimisht se serbët në enklavat në Kosovë jetojnë mirë, dhe se vetëm serbët në veri të Kosovës po shkaktojnë probleme. A jeni dakord me këtë?
Wulffen: Gjatë qëndrimit tim në Kosovë, shumica e serbëve në enklava ndiheshin të kërcënuar. Pati sulme të përsëritura, duke përfshirë djegien e manastireve dhe shtëpive. Ata u ndjenë të kërcënuar, por askush nuk më tha, se donin të emigronin. Gjithmonë e kemi theksuar, se Kosovën e shohim në tërësi, duke përfshirë edhe enklavat serbe që ishin në gjendje të vështirë.
DW: Në disa raste keni bërë të ditur se jeni kundërshtar i rreptë i shkëmbimit të territoreve, që disa e shohin si zgjidhje të mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pse?
Wulffen: Unë nuk jam një kundërshtar i rreptë, por shoh rreziqet që lidhen me këtë çështje. Shkëmbimet territoriale mund të shkaktojnë një ortek, duke tërhequr zona të tjera në konflikt, gjë që mund të kërcënojë stabilitetin politik të Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja pse unë këshilloj të braktiset kjo ide.
DW: Ju me siguri ndiqni negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilat janë sërish në një fazë të vështirë. A e shihni daljen?
Wulffen: Mendoj se duhet të jemi të durueshëm dhe të vazhdojmë praninë tonë në Ballkanin Perëndimor. Lufta e Ukrainës e ka vonuar deri diku procesin, por nëse Putini bie në plan të dytë, me disa politikanë në Ballkan si Vuçiq, do të hapet hapësira për BE-në.
DW: Shumë e fajësojnë Albin Kurtin për problemet e fundit në procesin e afrimit me BE. A jeni dakord me këto akuza?
Wulffen: Mendoj se është e rëndësishme t’u përmbahemi marrëveshjeve. Ka një marrëveshje për përfaqësimin e serbëve nga veriu i Kosovës, e Kurti nuk i përmbahet kësaj. Kjo është e papranueshme. Bashkimi Evropian duhet të jetë i vendosur këtu dhe të insistojë në këtë marrëveshje. Ky është një simbol i rëndësishëm për serbët.
DW: Në të kaluarën, kur keni qenë në Kosovë, Rusia ka luajtur një rol relativisht konstruktiv. Kjo ka ndryshuar. Si e shpjegoni këtë?
Wulffen: Para së gjithash, atëherë ne kishim Jelcinin si president të Rusisë, i cili, për shembull, kishte marrëdhënie të mira me kancelarin e atëhershëm Helmut Kohl. Rusët ishin të gatshëm të negocionin, megjithëse, me sa më kujtohet, ata nuk gjetën gjithmonë shumë mbështetje në Moskë. Kishte edhe forca të vijës së ashpër që nuk e mbështetën rolin ndërmjetësues dhe pajtues që kishte Rusia në atë kohë. Për shembull, marrja e aeroportit në Prishtinë nga rusët në atë kohë ishte ndoshta një lëshim për këta të vijës së ashpër, të cilët insistonin në vendosjen më të fortë të interesave ruse në Kosovë.
Bernd Wulffen ishte koordinatori i parë për administratën civile në Kosovë në periudhën e pasluftës.