Një tollovi ka ndodhur gjatë seancës plenare të parlamentit të Maqedonisë së Veriut, kur kordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, kërkoi fjalën por kryeparlamentari Talat Xhaferi nuk i dha të drejtë.
Xhaferi i kishte thënë Micevskit “Shko e ulu në vendin tënd nëse nuk je për rrahje”.
Ndërsa Micevski, ka reaguar “Mos më prek, mos më sulmo”, pas së cilës Xhaferi i ka thënë: “Ik dhe shko në foltore”.
Pas kësaj, Xhaferi e vuri në votim agjendën e kaluar, ndërsa Micevski ka reaguar duke i thënë “Ty turp, turp, çfarë agjende”.
Derisa deputetët po votonin, Xhaferi sërish i ka thënë Micevskit se “Ju po bëni atë që doni të bëni, mos u afroni me mua. Bëj çfarë të duash, por, mos mu afro”.
Agjenda ka kaluar me votat e 61 deputetëve, ndërsa Xhaferi ka shtuar se ”39 deputetë që qëndrojnë këtu (para foltores) janë kundër”.
Micevski mbeti në tavolinën e Xhaferit për të kërkuar fjalim procedural, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Në fund, pas të gjitha sqarimeve, Xhaferi kishte thënë se qytetarët presin që Kuvendi të funksionojë.