Konferenca e 42-të e drejtorëve të policive të 26 kryeqyteteve evropiane, njëherësh njëra nga konferencat më të mëdha të mbajtura në vendin tonë, e cila u mbajt në javën e fundit të tetorit, ka sjellur rezultate për bashkëpunime në të ardhmen.
Në një bisedë në emisionin “Radar” me Edita Doli, në Radio Dukagjini, drejtori i drejtorisë rajonale të policisë në Prishtinë, nënkolonel Fehmi Xhata, theksoi se nga kjo konferencë e cila u mbajt për herë të parë në Prishtinë, pjesmarrësit u ndanë të kënaqur me të arriturat e vendit tonë.
“Çdo gjë ka shkuar ashtu siç e kemi planifikuar, pjesëmarrësit u ndanë të kënaqur sidomos me mikpritjen dhe të arriturat ndër vite të Policisë së Kosovës”, ka thënë Xhata.
Qëllimi i kësaj konference ishte pikërisht bashkëpunimi dhe partneriteti ndërkombëtar në sferën e sigurisë dhe shkëmbimi i përvojave.
“Konferenca disa ditore ka rezultuar mjaft e suksesëshme, me nënshkrimin edhe të deklaratës së përbashkët nga 26 shtetet pjesëmarrëse, prej dhjetë pikash të nxjerra nga temat e trajtuara dhe diskutimet e zhvilluara përgjatë gjithë konferencës”, ka thënë Xhata për Radio Dukagjini.
Nënkolonel Fehmi Xhata, njoftoi se konferenca e radhës e 43-ta, e drejtorëve të policive të 26 kryeqyteteve evropiane është vendosur që të mbahet në Shqipëri, ndërkaq Estonia do të jetë vendi mikpritës pas Shqipërisë.