Profesori i rregullt i Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, Xhevat Krasniqi, është duke u deklaruar para anëtarëve të Këshillit të Etikës të UP-së.
Para më se 50 studentëve, Xhevat Krasniqi prapë është ftuar për të dhënë intervistë, e cila po mbahet e hapur para studentëve.
Iset Morina, kryetar i Këshillit të Etikës, ka treguar se ka lejuar studentët në këtë seancë me kusht që s’ka xhirime dhe s’ka zhurmë.
Krasniqi është raportuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë me pretendimin se i ka ngacmuar seksualisht.
Xhevat Krasniqi e ka përgatitur një deklaratë dhe e ka lexuar atë, duke dhënë qëndrimin e tij ndaj shprehjeve të përdorura në ankesën e ish-dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, e cila e ka deponuar ankesën në KE, pas raportimit për ngacmim nga studentet e Mjekësisë.
“Shpreh kundërshtimin tim lidhur me atë që më është atribuuar. Pasi që vlerësimi parimor nuk iu ka shkuar për shtati disa njerëzve, ata i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i kanë pasur ndaj meje” – tha Krasniqi.
Ai tha se i kanë keqpërdorur apo joshur disa studentë për të shpifur ndaj tij.
Sa i përket fletëparaqitjes së ish-dekanes së fakultetit të Mjekësisë ndaj tij në Këshillin e Etikës, Krasniqi tha se ajo ka pasur një qëllim krejt tjetër.
“Shpreh përkrahjen time të plotë për respektim të të drejtës të studentëve, por jam kundër çdo keqpërdorimi kundër çdo të drejte siç është bërë në rastin tim”.
Ai ka folur për mënyrën e vlerësimit në lëndën e matematikës, për të cilën tha se studentët në ligjëratën e parë janë njoftuar për syllabusin e lëndës, në të cilin kanë qenë obligativ dy teste apo kollokfiume.
Tutje ai tha se në të gjitha rastet nëse nuk kalojnë me kollokfium, siç e parasheh statuti i UP-së, mbahet provimi me shkrim dhe me gojë.
Ai tha se nuk i ka përdorur asnjë nga shprehjet që janë në ankesën e FM-së, në asnjë bisedë me studentët, bisedë formale apo jo formale.
“Shprehja e fjalës masazh është shpifje. Se jam afruar dhe kam dashur ta përqafoj është shpifja e radhës” – ka thënë Krasniqi.
Krasniqi tha se i ka falur pikë në një provim një studente, në këtë rast Krasniqi u pyet nga Këshilli i Etikës se cilat ishin motivet që ia ka falur pikët. Ai u përgjigj se në rastet kur studentët janë afër rezultatit të kalueshmërisë ashtu vepron.
Për një studente tjetër, Krasniqi tha se ajo e ka kërcënuar duke i thënë “hajt se ki me pa ti”.
Rreth nënshkrimeve të studenteve të Mjekësisë në ankesën që ka deponuar Fakulteti i Mjekësisë për raportimin e ngacmimit në Këshillin e Etikës, Xhevat Krasniqi pretendon se nëntë nënshkrime të këtyre studenteve janë të falsifikuara.
“Nënshkrimet e tyre i kam krahasu me listat e nënshkrimeve të studentëve gjatë ligjëratave. Dyshoj se nënshkrimet mund të jenë të falsifikuara” – tha Krasniqi.
Ai pretendon se nënshkrimet e listës së ligjëratave nuk janë të njëjta me nënshkrimet në ankesën e Fakultetit të Mjekësisë.
Iset Morina, kryetar i KE, e ka pyetur, se përderisa ai pretendon se 9 nënshkrime janë të falsifikuara, për 18 nënshkrimet tjera a janë të vërteta?
Krasniqi është përgjigjur duke thënë se “nuk ka vërejtur se ato kanë lëshime”.
Këshilli i Etikës i ka kërkuar Fakultetit të Mjekësisë javën e kaluar që t’i ridërgojë listën e nënshkrimeve të 27 studenteve që raportuan ngacmimin seksual.
Kjo seancë e Këshillit të Etikës është duke u mbajtur e hapur, mirëpo nuk është duke u lejuar incizimi apo fotografimi.
Në këtë seancë përveç Krasniqit, të pranishëm janë edhe studentë e aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë.
27 studente të Fakultetit të Mjekësisë, ku Krasniqi jepte lëndën e matematikës si profesor i angazhuar, kanë raportuar se janë ngacmuar seksualisht nga ai.
Lidhur me pretendimet e studenteve se janë ngacmuar seksualisht nga profesori Krasniqi, Fakulteti i Mjekësisë tha më 27.03.2024 se fillimisht ishin informuar gojarisht.
Kurse, denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.
Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.
Sipas Fakultetit të Mjekësisë, Krasniqi nuk e ka pranuar se i ka ngacmuar seksualisht studentet.
Kallxo Përnime ka publikuar hulumtimin, në të cilin, disa vajza dhe djem rrëfejnë për ngacmimet seksuale që pretendohet se profesori i matematikës, Xhevat Krasniqi i ka bërë ndaj studenteve të mjekësisë./Kallxo.com