Analisti Visar Ymeri thotë se integrimi i shteteve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian varet edhe nga reformat.
Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Ymeri thotë se “jemi në një situatë ku jemi duke ‘e kërcënuar’ njëri-tjetrin”.
“Ata po thonë që ne po e testojmë gatishmërinë e juaj për bashkëpunim në mes vete në mënyrë që pastaj të vini në BE, e ne po ju themi që nëse doni të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin duhet ta hapni derën e BE-së”, thotë Ymeri.
“Janë dy gjëra të rëndësishme që duhet diskutuar përtej situatës në të cilën jemi. Synimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është që Procesin e Berlinit, përafrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushat të cilat do ta krijonin tregun e përbashkët rajonal, ta ketë reflektimin e vet në përafrimin e rajonit dhe vendeve individualisht karshi BE-së, kjo ndërlidhje është e domosdoshme”, shtoi ai.
Siç thekson Ymeri, kërkesa që vjen nga vendet e rajonit për një seriozitet të shtuar të BE-së është e rëndësishme.
“Mirëpo, përgjigjja e BE-së së paku nga Bledi e tutje është që kjo është data që ne mendojmë që është realiste e integrimit të vendeve tuaja në BE, por mos harroni se ky integrim varet edhe prej shpejtësisë së reformave që i bëni ju”.