Analisti, Visar Ymeri, ka kritika të mëdha për mënyrën sesi po zhvillohet dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se sjellja e pushtetarëve ndër vite ndaj këtij procesi e ka sjellë Kosovën në stadin që të mos e marrë njohjen nga Serbia.
Sipas Ymerit, gabimi i Kosovës në këtë proces është narrativa se çka nuk pranojnë sesa ajo se çka duhet të arrihet. Këtë, sipas tij, e kanë bërë edhe pushtetet e kaluara.
Ymeri ka përmendur rastin e zgjedhjeve në veri dhe Udhëzimin Administrativ për largimin e kryetarëve në veri të vendit.
“Mua po më duket që për çdo ditë e më shumë po lexohet se po dëshiron ta zvarrisë procesin e dialogut, veçanërisht prej majit kur i kemi dërguar policinë në veri që u ballafaquan me protesta të dhunshme nga serbët, pra nga ai moment unë mendoj që Kosova shihet si zvarritëse me qëllim e procesit të dialogut dhe rrjedhimisht edhe sanksionet janë të tilla. E kemi rastin e zgjedhjeve. Tash edhe ky insistimi që me shkuar me peticion lexohet nga perëndimi si zvarritje”, ka thënë Ymeri për EO, teksa tregon edhe për gabimin e Kosovës në dialog me Serbinë.
“Është vështirë të flitet për shkak se ka shumë zhvillime brenda procesit të dialogut të cilat nuk i di se nuk kanë qenë publike kurrë. Gabimi i Kosovës, veçanërisht kohëve të fundit edhe më parë ka qenë që jemi shkëputë në procesin e dialogut më shumë duke treguar se çka nuk pranojmë sesa duke treguar se çka duam të arrijmë. Mendoj që insistimi i Kosovës duhet të jetë kjo që ‘unë dua njohjen nga Serbia dhe pastaj hajde shohim se cili do të mund të ishte kompromisi që e sjell këtë njohje’, nëse mund të gjejmë një gjë të tillë. Ndoshta as kjo nuk arrihet, por të shkosh në dialog se nuk e bëj Asociacionin, përfundon veç me të. Në vend se të shkosh dhe ta kërkosh njohjen”, ka thënë Ymeri.
Teksa ka folur për dialogun me Serbinë, Ymeri ka thënë tutje se situata është e dëmshme për Kosovën, pasi, sipas tij, kryeministri Kurti mund të shihet si jokredibil nga faktori ndërkombëtar. Këtë e bazon në ndryshimin e shpeshtë të deklaratave të Kurtit.
“Natyrisht që tash zbatimi i kësaj marrëveshjeje po të kishte përfunduar më herët, tash do të ishim në një situatë më të avancuar në procesin e dialogut dhe mbase edhe në përfundim të tij komplet, sepse kjo ka qenë ideja prej vitit 2013. Ne e kemi një situatë në të cilën besoj që është e dëmshme për Kosovën, pikërisht me faktin që kryeministri i Kosovës mund të shihet si jokredibil nga partnerët tanë ndërkombëtarë, për shkak të ndryshimit kaq të shpejtë dhe kaq të thellë e të shpeshtë të qëndrimeve karshi të njëjtës marrëveshje. Pra, njëherë del e thotë ‘Zajdenicë të Thaçit’ nuk e zbatoj, tani del e thotë e zbatoj për njohjen de-facto, tani thotë njohjen de-facto e pastaj njohjen de-jure. E pastaj thotë se kjo megjithatë është zbatim i mirë, pastaj thotë se Vetëmenaxhimi nuk është Asociacion por është shpik diçka tjetër e pastaj thotë se Asociacioni është aty. Pra këto qëndrime të bën pastaj të paqëndrueshëm e jokredibil (Kurtin)”, ka shtuar Ymeri.
Ymeri ka shprehur habinë se përse nuk po zbatohet plani franko-gjerman, pasi aty është thënë se është njohja de-facto nga Serbia. Ai është shprehur se kjo marrëveshje rrezikohet duke u kapur për “teknikalitete procedurale”.
“Serbia e ka pozicion e vet, Kosova e ka pozicionin e vet, ndërmjetësit duhet me u mundu me i bë bashkë këto dyja dhe natyrisht se në secilën situatë ata do ta dëmtojnë secilën prej palëve me qëndrimet e veta për të arritur një mes të pranueshëm për të dyja palët. Tash a është e drejtë me fillu me Asociacionin ajo, nuk po hy andej e a është e drejtë me themeluar andej. Ne kemi disa çështje që po i adresojmë përmes procesit të dialogut dhe tashmë jemi dakorduar në nivel politik që secili prej kryeministrave që kjo është rruga përpara. Themelimi i Asociacionit, përfundimi i dialogut, avancimi i shtetësisë së Kosovës dhe me marrëveshjen e Brukselit që quhej plani franko-gjerman, zotëri Kurti si kryeministër na patë thënë që me këtë arrihet njohja de-facto dhe tash zbatimi i asaj marrëveshje po na thuhet është jetik për Kosovën. Dakord, pse nuk po fillojmë me zbatuar. Tash nëse në një marrëveshje qenka e mirë për Kosovën po e rrezikojmë duke u kapur për ‘teknikalitete procedurale’, kjo për mua nuk ka kuptim, përveç nëse e kemi një mosbesim absolut jo vetëm e Serbinë por edhe me ndërmjetësit që po garantojmë që do të zbatohet”, ka shtuar ai.