Të dielën e 25 shtatorit, partia në pushtet ka zhvilluar zgjedhjet e brendshme, ku për kryetar të Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk pati kundërkandidat.
Siç është deklaruar nga LVV-ja, ky ka qenë qëndrimi i të gjithë anëtarëve të partisë.
Megjithatë, analisti, Visar Ymeri, ka thënë se një prej të dhënave më të rëndësishme për një proces zgjedhor është publikimi i pjesëmarrjes së përgjithshme, që sipas tij, LVV-ja nuk e ka bërë.
“Deri tani VV nuk e ka publikuar pjesëmarrjen e përgjithshme që është një prej të dhënave të rëndësishme për një proces zgjedhor”, ka thënë Ymeri.
I ftuar të emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, Ymeri ka thënë se argumenti të cilin e përdor VV-ja që mungesa e një kundërkandidati në një garë jo domosdoshmërisht tregon që ka mungesë demokracie.
“Kjo sepse vendosja e një kandidati vetëm sa për sy e faqe dhe për të plotësuar një kriter formalisht të demokracisë nuk është që e sjellë demokracinë në vete”.
Sa i përket zgjedhjes së kryetarit të kësaj partie, Ymeri ka thënë se “nuk ka pasur rrugë tjetër”.
“Çështja është se sa prej kryetarëve të degës tash do të jenë gra në VV. Dhe çështja tjetër është që janë deklaruar deri tash përqindjet e votave nga Kurti për kryetar nga Haxhiu për kryetare të gruas nga zotëri Behar për kryetar të rinisë, por nuk tregohet pjesëmarrja e përgjithshme e anëtarëve”, shtoi ai.
Ymeri ka theksuar se nëse Kurti i ka marrë 98 për qind të votave të atyre që kanë votuar, megjithatë nuk dihet se për çfarë përqindje flitet krahasuar me trupin e përgjithshëm të anëtarëve të LVV-së.
“Është fol shumë për këtë proces zgjedhor prej se ka filluar veçanërisht karshi këtyre reagimeve që kanë pasur disa persona që kanë konsideruar se janë eliminuar nga gara nëpër disa qendra të degës dhe kjo ka zgjuar një interesim dhe diskutim të madh se deri në ç’masë funksionon një proces formalisht demokratik brenda VV-së dhe kjo ka kulmuar me fundin e garës për nivelin qëndror dhe atë lokal në të cilën një pjesë të madhe të tyre ka pasur vetëm një kandidat dhe kjo është vlerësuar si shenjëzim i qartë i mungesës së dmeokracisë në VV”.