Ky shkrim do të jetë, kam frikë të tregoj, vetëm për miqësinë time me Ballsor Hoxhën. Por pse o pse vetëm për miqësinë time me Ballsor Hoxhën? Dhe kush është Ballsori, për të cilin do të shkruaj?
Ndoshta ju, të nderuar lexues, e njihni ose e keni parë njeriun e lartpërmendur. Sidomos nëse ndodh se jetoni në Prishtinë: por më lejoni paramendimin që s’e njihni dhe s’e keni parë. Nuk është e rrallë të shihni njeriun për të cilin do të shkruaj të zhytur në heshtje, diku krejt në qoshe, duke gdhendur shkrimet e tij. Duke gdhendur me vëmendjen e dikujt që s’dështon të kuptojë se në zhytjen e heshtjes duhet të mbajë frymën, kjo është, që nuk largohet nga ajo që shkruan, edhe nëse rreth tij fillon gjithçka të shembet. Duke shkuar, qoftë në mendje, qoftë në shkrime, aty ku është e vështirë të parakuptohet: e lëre më të mendosh se ai shkon aty dhe, jo pak herë, na sjell gjëra të kuptueshme.
Këtë njeriun e sapo përshkruar, jepja pjekurinë, forcat poetike duket se e mbajnë të ri, si në trup ashtu edhe në shpirt, (nëse ende mendoni se këto dy gjëra janë të ndara). Këtu rrëfeva, njëmend, përshtypjen time të parë për Ballsorin: i ri! Pak më tej në pamjen e përshtypjes dhe. . . sytë e Ballsorit kanë njashtu të thënën e tyre. Sepse është njaty ku mund të ndjesh përdredhjen e fijeve të përditshmërisë dhe poetikës duke u tërhequr. Po, po, ashtu, duke u tërhequr vetë, me Ballsorin që i ka hapur portat e kësaj gjallërie jashtë vetes së parë për të udhëdhënë jetën e tij. Të them të ndershëm, dhe aq më shumë për të turpëruar veten e të shkruaj për gjëra që nuk duhen shprehur, vështirësitë e Ballsorit në jetë, në një mënyrë apo tjetër, gjenden pikërisht në këtë ndarje. Në mes të poetit brenda tij dhe njeriut të përditshëm. Nuk është e lehtë, nëse më duhet të kujtoj urtëdhënat e harruara, të jesh faltorja nga ku hyjnorja, në pajtoheni apo jo me këtë fjalë (në këto mote të zymta), bëhet e pranishme.
Është tepër qesharake njëmendësia që në motet e pranishme fushëvetja hyjnore duhet të shoqërohet me marrëzinë, me të përtejshmen, me frymëzimin ergriffenheit për të bërë ligësi – ironia e fjalës së fundit, lutem që të mos kalojë pa u vënë re. Ndoshta çudia e ‘këtij’ përfundimi të gabuar është varësia jonë e madhe te ‘vetja e parë’, pa e ditur ku kjo vetja jonë e parë, që ka lulëzuar, i ka rrënjët. Mos të harrojmë mandej që një barrë e madhe në trashëgiminë e perëndimit për këtë gjë duhet të ngarkohet mbi shpinën e Platonit mahnitës. I cili, nga kujdesi shumë i madh, apo edhe nga frika për të pasur patjetër qëndrueshmëri, mohon rrjedhën e Heraklitit dhe hyjnitë, ‘shumë njerëzore’, te Homeri. Le të jetë kjo sido që të jetë: motet tona, me apo pa dëshirën, në mendësi janë jopoetike, në kuptimin më parak kjo është. Përqafimi i lirikës dhe jo epikës në poetikën e tanishme, duket se e vërteton këtë.
Dhe më shikoni mua! Duke e bërë atë që mendja e Ballsorit e bën pa pushim: filozofinë. (Filozofinë. Unë nuk e ndërlidhi këtë fjalë në kuptimin e cektë, vetëm për të treguar mendimin ndaj një gjëje: por mendimin e thellë ndaj të gjithë magjepsjes që na jep çudi)… dhe këtu përfundon përshtypja ime e parë. Ky është Ballsori, apo më mirë të shkruaj, përshtypja ime e parë se kush Ballsori është, e cila nuk ka ndryshuar dhe, duke e njohur veten, vështirë se mund të ndryshojë ndonjëherë.
Tani më mbetet vetëm çudia pse ky shkrim është vetëm për miqësinë time me Ballsorin. Dhe me këtë, ajo çfarë dua të them është se Ballsor Hoxha për ju mund të jetë një i panjohur, një mik, një i dashur, një prind, një shkrimtar, një poet, një njeri e shumë gjëra të tjera. Njashtu, Ballsor Hoxha është dikush për vetë Ballsor Hoxhën. Por ky shkrimi im nuk është për Ballsorin tuaj, as për Ballsorin e Ballsor Hoxhës, çfarëdo që kjo do të thotë. Ky shkrimi im është për mikun tim, atë të cilin unë e njoh – Ballsor Hoxhën, poetin. Për mikun tim, shkrimet e të cilit në vitin e parë larg shtëpisë sime, larg rrethinës sime të dashur, në kohën kur isha një gjysmerrësirë që s’prisja diellin apo hënën, më mësuan, ndoshta edhe pa dashur, shërimin e duhur – yshtjen poetike.
E shihni, të nderuar lexues, nëse duhet të merrni diçka nga kjo dobësia ime për të shkruar gjëra kaq të plogështa dhe gati vajtuese, është kjo. Poetika e Ballsor Hoxhës është ajo suka e rrallë shëruese, e cila të mëson se një mënyrë për të kuptuar që je shëruar, është të harrosh se ke qenë i sëmurë. E shkruar ndryshe, nga ajo që kam dëgjuar për shpirtin, nga ajo që kam lexuar dhe përjetuar, mund të përfundoj pa frikë se ishte në shkrimet e Ballsor Hoxhës që e takova sërish shpirtin tim në atë vit grymi. Dhe kjo s’mendoj që ishte udhëdhëna në ‘lirikën’ e tij: por në arritjen për t’i lënë pamjet, lehtësinë e fjalës së shkruar dhe kuptimbërjen të gjallërojnë poetikën e tij, pa i ngulfatur me dëshirat apo rëndësinë e ‘vetes së parë’ pezull. Ballsor Hoxha na mëson, thuajse si një mistik, atë gjallërinë që gjërat kanë brenda tyre, që gjuha ka brenda saj, që secili prej nesh, edhe pse jo domosdoshmërisht e mendojmë ashtu siç duhet, sërish e ka. Dhe po, kur shkruaj për Ballsorin poet, unë largohem nga ai Ballsori i prozës: nga ai Ballsori që bredh në ankthin e asaj që është, që luan me fjalët deri në shumëkuptim dhe që merret me disa gjëra shumë të panjohura dhe, në mungesë të ndonjë shprehje më të mirë, me pak rëndësi për mua. Unë e njoh pak Ballsorin e prozës dhe nuk dua të shkruaj për gjëra që nuk i njoh. (Aq më shumë kur ankthi aty ka atë aromën e mykut kierkegaardian, por edhe të ekzistencialistëve të tjerë: ndaj të cilëve nuk është se njëmend kam ndonjë pëlqim, ndonjë mirënjohje dhe aq më pak ndonjë nderim).
Moti kur gjysmerrësira ishte në mua tani më duket sikur s’ishte fare. Ashtu siç na duket çdo sëmundje e rëndë dhe e kaluar, besoj. Por nëse shkrimi im ka ndonjë kulm, është ky paramendimi i përulur për të përfunduar: lexoni ‘Nirvanë Qyteti’ nga Ballsor Hoxha, dhe vetëm me këtë libër ju do të më kuptoni kur i vë kokën shkrimit tim kështu – faleminderit, Ballsor, për poetikën tënde! Dhe nëse vetëm një herë më lejohet të shpresoj në emrin e tij, aty ku është më mirë të lë dikë tjetër më të urtë të këshillojë apo të lutet – shpresoj që jeta të tregohet më e drejtë me ty.
*Albnor Sejdiu është studiues i filozofisë.