Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese zgjodhi në raundin e tretë të votimit kryetaren e re të saj, Holta Zaçajn, e cila mori një shumicë prej 5 votash.
Ajo vihet në drejtimin e Gjykatës pas vetëm më pak se një muaj eksperiencë si anëtare e saj, dhe me një mandat të cunguar.
Sipas ligjit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka një mandat 3-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Por Zaçaj, nuk do të mund ta ushtrojë të plotë mandatin e fituar, pasi në vitin 2025, asaj i përfundon mandati si anëtare e Gjykatës.
Ajo u zgjodh si e tillë në janar, duke marrë pjesën e mbetur të mandatit të zonjës Vitore Tushe, e vetmja nga anëtarët që i mbijetoi procesit të vettingut, dhe qëndroi në detyrë deri në plotësimin e Gjykatës me të 9 anëtarët e saj të rinj, shkruan VOA.
Në garë për kreun e Kushtetueses ishin dhe dy anëtare të tjera të gjykatës, Fiona Papajorgji dhe Mariana Semini.
Në dy raundet e para asnjë prej emrave në garë nuk e kishte marrë shumicën e kërkuar prej të paktën 5 votash.
Madje, në votimin e dytë, të premten e shkuar, të tre kandidatet morën nga 3 vota secila, ndërsa sot, duket se dy nga votat që kishin qenë për Semini i kaluan Zaçaj. Anëtarja Semini mori vetëm një votë, ndërsa Papajorgji ruajti 3 votat që kishte marrë më parë.
Zaçaj, 47 vjeçe, vjen nga sistemi i avokaturës, me një angazhim dhe si eksperte ligjore, kryesisht në fushën e së drejtës familjare dhe asaj të fëmijëve.