Të enjten e 15 shkurtit, për herë të parë do ta vizitojë Shqipërinë, sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Një ditë përpara se të marrë pjesë në konferencën e sigurisë në Mynih, zyrtari amerikan do të ndalet për disa orë në Tiranë, për t’u larguar po atë ditë nga vendi ynë.
Në një kofidencialitet të plotë për shkak të sigurisë, “Euronews Albania” ka mësuar se Blinken në kryeqytetin shqiptar do të takohet me kryeministrin Edi Rama, me të cilin, më pas mund të ketë një konferencë për shtyp.
Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit është prioritet, e për këtë një takim sekretari Amerikan i Shtetit do të zhvillojë një takim edhe me drejtuesin e SPAK, Altin Dumani.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, sekretari Blinken pritet të takohet edhe me stafin e Ambasadës amerikane.
Ardhja në Tiranë për disa orë e Antony Blinken do të shoqërohet edhe me masa të rrepta sigurie nga Policia e Shtetit, ku pritet të ketë disa kufizime në segmentet nga aeroporti i Rinasit në drejtim të kryeqytetit, por edhe brenda Tiranës, aty ku Blinken do të lëvizë për t’i zhvilluar takimet.
Antony Blinken do të bëhet sekretari i gjashtë Amerikan i Shtetit që vjen në Shqipëri për një vizitë zyrtare./Euronews Albania