Zbardhja e të vërtetës dhe vendndodhjes së viktimave nga Masakra e Rrezallës, peng i ri-klasifikimit të ‘të dhënave nga arkivat për Brigadën e Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave’

Varr masiv në minierën Kizevak, Rashkë. Foto: Marko Risovic

Në prill të vitit 1999, përgjegjëse për krimet e përmasave gjenocidiale, në Rrezallë dhe po thuajse tërë regjionin e Drenicës, ishte Brigada 37 e Motorizuar e Ushtrisë Jugosllave, nën udhëheqjen e Ljubisha Dikoviq (Ljubiša Diković).

I njëjti, në dëshminë e tij në procesin gjyqësor ‘Sainovic et al.’[1], në vitin 2007 kishte konfirmuar se qysh në fillim të Marsit 1999 me urdhrin e Komandës së Korpusit të Uzhicës, Armatës së II të Ushtrisë Jugosllave, njësitet e Brigadës së Motorizuar 37 që ishin në objektet e tyre në Rashkë, kishin lëvizur (ishin vendosur) në regjionin e Drenicës.

Masakra e Rrezallës, 5 prill 1999, mbetet një nga krimet më makabre dhe gjenocodiale e kryer nga Ushtria Jugosllave gjatë luftës në Kosovë (përfshirja e ish-Ushtrisë Jugosllave është konfirmuar gjatë proceseve gjyqësore në rastet e të dënuarve për krime lufte nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi si në ‘rastin Vlastimir Djordjevic’ apo ‘rastin Nikola Sainovic’ si dhe me të gjitha dokumentet e gjetura deri më tani përfshirë edhe ‘shkresën e ish-Prokurorisë Publike të Qarkut të Mitrovicës, drejtuar Prokurorisë Ushtarake’, që mban datën 26.04.1999, mbi bazën e të cilës, pas vrasjes e masakrës më 5 prill 1999 në Rrezallë, forcat serbe ishin kthyer, disa ditë pas masakrës, në vendin e krimit për të rrëmbyer e zhdukur kufomat e 36 viktimave nga kjo masakër.

Në prill të vitit 2014, pikërisht 15 vite pas kësaj masakre, kishin rifilluar gërmimet vlerësuese dhe zhvarrimet në varrin masiv ‘Gurorja në Rudnicë (Rashkë)’, ku në dhjetor 2013, pas shumë vitesh përpjekje e kërkesa për vlerësim (gërmim vlerësues), ishte konfirmuar ekzistimi i varrit masiv në këtë lokacion, që ishte pranë, (pak metra poshtë) ‘objekteve të ish Ushtrisë Jugosllave’, në një zonë afër moçalit që ishte mbuluar me parking e objekte në shfrytëzim të kompanisë për mirëmbajtje të rrugëve.

Varr masiv në minierën Kizevak, Rashkë. Foto: Marko Risovic

Gërmimet vlerësuese dhe zhvarrimet me një angazhim edhe të një ekipi kosovar e me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar edhe përmes ‘pamjeve satelitore për këtë lokacion’, kishin përfunduar në fund të Qershorit të vitit 2014 dhe kishte rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e 54 viktimave të luftës në Kosovës, përfshirë edhe 29 viktima, pikërisht, nga masakra e Rrezallës, përgjegjëse për të cilën ishte Ushtria Jugosllave.

Gjatë kësaj kohe (pra viteve 2013 dhe 2014) e tërë ushtria e Serbisë, kishte Shef Shtabi të Përgjithshëm Ljubisha Divkoviq (Ljubiša Divković), i cili gjatë luftës kishte udhëhequr me Brigadën e 37-të të Motorziuar.

Në fund të muajit Korrik të vitit 2014, Qeveria Vuçiq e Serbisë së mendësisë kriminale, për të mbrojtur përgjegjësit e krimeve gjenocidiale, e sfiduar edhe më tutje punën dhe angazhimin në ndriçimin e së vërtetës, zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë, ri-klasifikoi ‘të dhënat nga arkivat për Brigadën e Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave’.

Rasti i Rashkës, në atë kohë por edhe sot, mbete rast i hapur, meqë nuk janë adresuar në kuptim të vlerësimit të gjitha lokacionet e shënjuara në këtë zonë.

Vetëm nga masakra e Rrezallës, përkundër zhvarrimeve dhe identifikimeve gjatë vitit 2014, kishin mbetur edhe 7 persona (viktima) në listën e të zhdukurve. Vuajtja e familjeve vazhdonte (7 viktimat ishin zhvarrosur 6 vite më vonë nga varreza masive në Kizhevak, një lokacion tjetër në regjionin e Rashkës, i lokalizuar pas disa vitesh përpjekje po ashtu me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare përfshirë sigurimin e ‘imazheve satelitore’ përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Në Kizhevak ishin zhvarrosur edhe pjesët kockore të dy individëve të zhvarrosur 6 vite më parë në Rudnicë, eshtrat e të cilëve më në fund do të ribashkoheshin pasi kishin qenë të ndara në dy varreza të ndryshme masive).

Aktualisht janë edhe 1 mijë e 595 persona të zhdukur nga lufta në Kosovë, vendndodhja e të cilëve nuk dihet.

Vetëm nga Komuna e Skenderajt edhe sipas të dhënave të shoqatës ‘Pengu i Lirisë’ janë 113 persona të zhdukur nga lufta në Kosovë, përfshirë edhe tre qytetarë të Rrezallës. Pra, më shumë se 100 familja tek të cilat plotënia e lirisë mbetet peng.

Serbia e 1999-tës, e 2014-tës apo edhe tani e 2024-tës, vazhdon me mendësinë kriminale, glorifikimin e kriminelëve, mohimin e të vërtetës dhe politizimin e skajshëm edhe të proceseve, si procesi për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë.

Asnjë i dënuar për krimin e shumëfishtë, vrasjen e masakrën e Rrezallës, zhvarrosjen e groposjen, prolongimin e bllokimin e procesit të zhvarrimit e identifikimit.

Përkundër kërkesave të vazhdueshme, duke prioritizuar kërkesën për qasje në të dhënat e Brigadës së Motorizuar 37, apo edhe kërkesat për caktimit e datave për rikthim në lokacionet tanimë të shënjuara në Serbi, ende nuk ka përgjigje.

Ne s’do të ndalemi, ne do të luftojmë për drejtësinë e mohuar të njerëzve tanë, për lehtësimin e dhimbjes së familjeve të personave të zhdukur me forcë dhe ankthit të pritjes t’i vijë fundi.

———-

[1] Nikola Šainović, Nebojša Pavković, Vladimir Lazarević, Sreten Lukić

Të fundit nga rubrika