Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në fshatin Rodel në veri të vendit, disa kilometra larg kufirit me Serbinë, ku janë zbuluar uniforma, pajisje ushtarake, armë, municion dhe dokumente indoktrinuese që dëshmojnë ekzistencën e strukturave paralele e terroriste në Kosovë.
Këtë e bërë të ditur në një konferencë të jashtëzakonshme për media nga veriu i vendit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas Sveçlës, Serbia po vijon të strehojë Milan Radoiçiqin, të cilin e konsideron “kupolën” e këtij organizimi. Ai akuzoi Radoiçiqin për përpjekjet e tij për të mbajtur gjallë mbetjet e grupeve terroriste, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.
“Fal informacioneve operative Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion ku rezultuar janë zbuluar, uniforma të ndryshme, pajisje ushtarake, armë dhe municion të ndryshëm. Por edhe dokumentacione indoktrinuese, të cilat dëshmojë realisht strukturat paralele të Mbrojtjes Civile, vazhdon të jetë aktive në territorin e Kosovës. Ky zbulim ka ndodhur disa kilometra larg kufirit me Serbinë, në fshatin Rodel…
Serbia vazhdon që të strehojë terroristin Milan Radojcic, i cili është kupola e gjithë këtij organizmi. I cili po mundohet mbetjet e grupeve terroriste të vazhdojë ti mbajë gjallë, qoftë në territorin e Serbisë, po ashtu edhe në Kosovë”, ka thënë Sveçla.
Krahas kësaj, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se operacioni po vazhdon dhe se deri më tani një person është ndaluar dhe është dërguar në mbajtje.
“Policia e Kosovës ka marr një informacion qe në një shtëpi te pabanuar te ketë arme dhe municione. Policia ka ka intervenuar dhe e kanë vërejtur se aty është një sasi e municionit dhe armeve. Operacioni është duke vazhduar. Një person është dërguar ne mbajtje dhe po intervistohet”, ka thënë Hoxha.