Një tjetër varr është zbuluar në afërsi të fshatit të Buchas, Myrotske, në afërsi të rajonit të Kievit, ku ushtria ruse ishte pozicionuar ndërsa përparonte në Kiev. Andriy Niebytov, kreu i policisë rajonale të Kievit, ka raportuar të hënën se varri masiv përmbante trupat e shtatë civilëve, të gjithë të qëlluar në kokë. Shumë prej tyre i kishin duart e lidhura dhe ishin të qëlluar me armë deri në gjunjë.
Tashmë po punohet për identifikimin e viktimave. Këshilli i Qytetit të Bucha-s ka njoftuar se testet e ADN-së do të ishin të disponueshme falas për të afërmit e të vrarëve ose të zhdukurve nga Bucha.
Edhe para 13 qershorit, më 29 prill, në zonën pyjore të rajonit të Bucha-s ishte gjetur varri i tri viktimave të tjera, të cilët rusët i kishin torturuar përpara se t’i vrisnin.
Niebytov ka raportuar atëherë se trupat e tyre ishin shumë të shpërfytyruar për t’u identifikuar, përveç nga ADN-ja.
Ndërsa, më 16 maj, Niebytov ka raportuar se një tjetër varr i improvizuar ishte gjetur pranë Makarov në rajonin Bucha, ku ishin vendosur rusët. Në atë varr ishin gjetur trupat e tre civilëve që besohet se janë qëlluar nga rusët, mes tyre një shtetas çek 49-vjeçar, i cili më parë kishte punuar si shofer në distanca të gjata, por që shërbeu në Ukrainë si vullnetar, pasi Rusia filloi pushtimin e saj total. Trupat e dy burrave të tjerë, të dy me veshje civile, nuk ishin identifikuar.
Policia gjeti, gjithashtu, trupin e një banori tjetër lokal, i cili ishte qëlluar me armë zjarri në afërsi të fshatit Rakivka. Burri ishte një oficer policie në pension, të cilin rusët e detyruan të zhvishej para se ta vrisnin.
Më 5 qershor, ishte gjetur kufoma e një 41-vjeçari ukrainas i vrarë nga një plumb në pjesën e pasme të kokës. Burri, me origjinë nga Volynia në Ukrainën perëndimore kishte ardhur për të punuar në rajonin e Kievit vitin e kaluar dhe ishte zhdukur gjatë okupimit të forcave ruse.
Gjashtë ditë më parë, më 29 maj, Policia Rajonale e Kievit ka raportuar se, në të njëjtën zonë pyjore pranë Vyshehrad, ata kishin zhvarrosur trupin e një burri që dukej se ishte rrahur për vdekje. Dokumentet e gjetura në varrin e improvizuar ishin ato të 38-vjeçarit Serhiy Kyslytsky, i cili gjithashtu kishte ardhur në rajonin e Kievit nga Volynia. Më 15 maj, u gjet trupi i një 28-vjeçari që kishte jetuar me prindërit e tij në Kolonshchyna, afër Vyshehrad, i cili ishte qëlluar pas shpine. Trupi i një viktime tjetër u gjet pranë Vyshehrad më 5 maj, ai gjithashtu ishte torturuar.
Këto viktima janë vetëm disa nga numri i madh i civilëve të vrarë, që kur Rusia filloi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës më 24 shkurt.
Sipas Ihor Klymenko, kreu i Policisë Kombëtare të Ukrainës, hetimet penale janë nisur për vdekjen e 12 mijë ukrainasve, duke përfshirë edhe shumë trupa të viktimave që u gjetën në varre masive. Prej tyre, 1 mijë e 200 trupa ende nuk janë identifikuar.
Klymenko shpjegoi në një intervistë për Interfax Ukraine se mbi 1 mijë e 500 civilë ishin vrarë vetëm në rajonin e Kievit. Shumë prej trupave të viktimave të rusëve, të vrarë në Bucha, Irpin, Hostomel dhe Borodyanka shtriheshin në rrugët ku ishin qëlluar nga tanket ose automjetet e blinduara. Ata ishin vrarë, tha Klymenko, edhe pse mbanin shiritat e bardhë që pushtuesit i kishin detyruar njerëzit t’i mbanin.
Një numër i madh viktimash janë gjetur edhe në shtëpitë e tyre, ku shumica janë vrarë nga predha mortajash.
Sa i përket varrezave masive, Klymenko nuk ka dashur të japë asnjë shifër dhe ka theksuar se varret e reja janë gjetur gjatë gjithë kohës. Në një varr masiv në Bucha, ata gjetën trupat e 116 civilëve, ndërsa të tjerët mund të kenë pesë deri në shtatë viktima ose edhe më pak. Ai vë në dukje se banorët do të përpiqeshin të mblidhnin trupat e të vdekurve dhe t’i varrosnin në parqe apo oborre.
Rreth 75% e viktimave kanë qenë meshkuj, afërsisht 2% fëmijë dhe 23% femra. “Këta ishin civilë, njerëzit nuk kishin asnjë lidhje as me ushtrinë dhe as me strukturat ligjzbatuese”.
Vlen të theksohet se shifrat e mësipërme ka të ngjarë të jenë shumë më të ulëta se numri i përgjithshëm i viktimave civile. Vlerësimi më modest për numrin e civilëve të vrarë në Mariupol që kur Rusia filloi bombardimet, granatimet dhe rrethimin e egër të qytetit është 22 mijë.
Autoritetet e qytetit të Mariupolit kanë raportuar, gjithashtu, disa krematoriume të lëvizshme, të cilat mund të përdoren për rusët për të fshehur provat që rezultuan kaq të tmerrshme, pasi ushtria ruse u tërhoq nga rajoni i Kievit në fund të marsit.