Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta bojkotojnë adresimin e përvjetshëm të presidentes Vjosa Osmani sot në Kuvend.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se partia e tij ka vendosur për bojkot, për shkak se, sipas tyre, presidentja e vendit ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit.
Sipas tij, Osmani e ka luajtur rolin e zëdhënëses së Qeverisë.
“Në këtë mënyrë, duke vepruar si zëdhënëse e qeverisë dhe e shumicës parlamentare tashmë mund të themi se roli i saj përfundimisht është i dëmshëm.Edhe këtë vit ajo do të mbahet mend vetëm për gjuhën e saj jo unifikuese, polarizuese dhe përçarëse por edhe si shërbëtore e përkushtuar e Albin Kurtit dhe pushtetit të saj”, thuhet në njoftim.
“Zonja Osmani, si presidente ka heshtur edhe atëherë kur do të duhej ta ngriste zërin fuqishëm përballë sfidave që ka kaluar vendi jonë gjatë këtij viti, si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin e jashtëm”, tha ai.
Sipas Tahirit, presidentja Osmani është nënshtruar ndaj kryeministrit Albin Kurti.
“Zonja Osmani si presidente që në krye të herës e ka braktisur rolin unifikues që do të duhej ta kishte sepse me vendimet, veprimet dhe mosveprimet e saj ka demonstruar njëanëshmeri të thellë politike ndaj pushtetit dhe nënshtrim ndaj Albin Kurtit”, tha ai.
Tahiri u shpreh se “në rreth tri vite të mandatit të saj si presidente nuk shquhet për asnjë nismë të vetme, as në raport me gratë e as në raport me grupet e tjera shoqërore”.
Ai e ka kritikuar Osmanin edhe për mungesën e njohjeve të reja.
“Po ashtu, duke qënë përfaqësuesja më e lartë e shtetit, zonja Osmani si presidente ka dështuar tërësisht në përfaqësimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Asnjë njohje të re dhe asnjë anëtarësim në organizata serioze ndërkombëtare”, tha ai.
Kurse, në aspektin e brendshëm, sipas Tahirit, presidentja i ka mbyllur sytë ndaj aferave të ndryshme.
“Zonja Osmani, ka vazhduar të hesht përballë aferës në fushën e energjisë e cila për protagonist e ka ambasadorin e Kosovës në Kroaci, vendimi për emërimin e të cilit e ka vulën e saj. Ajo e ka mbrojtur verbërisht të njëjtin edhe përballë hetimeve ndërkombëtare që janë zhvilluar ndaj tij, ndërsa e ka cenuar përfaqësimin e interesit shtetëror, jo vetëm në Kroaci ku i njëjti është duke shërbyer, por edhe në Slloveni ku i njëjti është duke u hetuar”, tha ai.
Po ashtu, sipas PDK-së, Osmani nuk e ka mbrojtur Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.
“Nga ana tjetër, zonja Osmani si presidente nuk e ka pasur as kurajon më të vogël politike dhe institucionale për të mbrojtur Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, proces i cili Kosovës i solli marrëveshjen më të dëmshme të mundshme – atë të Brukselit, Aneksin e saj të Ohrit dhe së fundi edhe draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si derivat i kësaj marrëveshje”, tha ai.
“Pra, duke qëndruar e heshtur edhe përballë procesit të dialogut që vendit i solli autonominë politike dhe territoriale serbe në Kosovë, e në anën tjetër duke qënë kreu i shtetit dhe përfaqësuese e parë e Kosovës në politiken e jashtme, ajo ka dhënë dëshminë më të madhe që vetëm përfaqësuese e unitetit të popullit nuk mund të jetë”, vijoi Tahiri.
Tahiri theksoi se presidentja ka heshtur edhe për sanksionet e vëna kundër Kosovës.
“Zonja Osmani si presidente, gjithashtu ka heshtur edhe ndaj masave dhe sanksioneve që BE i ka vënë Kosovës si rezultat i qasjes destruktive të kryeministrit Kurti në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe procesin e dialogut në veçanti”, tha Tahiri.