Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, Lamir Thaçi, gjersa ka folur për zbulimin e murtajës afrikane të derrit në disa zona të vendit, ka thënë se edhe pse kjo sëmundje ka shkaktuar një situatë të vështirë në sektorin e bujqësisë dhe fermave, nuk ka asnjë dyshim që mund të bartet te njerëzit, duke qenë e rrezikshme vetëm për derrat e egër dhe derrat e butë.
“Është një sëmundje e re që e ka prekur vendin tonë për herë të parë, bëhet fjalë për murtajën afrikane të derrit, dhe për nga origjina e ka marrë edhe emrin. Por këtu nënkupton që preken vetëm derrat e egër dhe derrat e butë”, ka thënë Thaçi për emisionin FIVE të RTV Dukagjini.
“Nga të gjitha hulumtimet shkencore që ekzistojnë deri më tani nuk është gjetur asnjë dyshim që kjo sëmundje mund të bartet tek njeriu, por nuk është gjetur as edhe ndonjë dyshim që kjo sëmundje mund të barte te ndonjë lloj tjetër i kafshëve”, ka thënë tutje ai.
Ndërkohë që murtaja afrikane e derrit nuk paraqet rrezik për konsumatorët e mishit, shqetësimi kryesor sipas tij, fokusohet te ekonomia vendore dhe fermat e prekura.
Thaçi ka thënë se kjo sëmundje ka ndikim serioz në fermat ku është zbuluar, pasi ka potencial për të shkaktuar humbje të mëdha në prodhimin e derrave.
“Kjo sëmundje natalitetin e ka deri në 100 për qind, do të thotë që secila fermë që mund të preket në një afat shumë të shkurtër kohore fillojnë ngordhjet dhe pastaj ne jemi të detyruar të bëjmë asgjësimet shpejt që të parandalohet, sepse bartja e sëmundjes bëhet me çfarëdo kontakti që del nga ferma e prekur në fermat tjera”, ka deklaruar ai.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, siç ka thënë ai ka marrë masa të menjëhershme për të ndaluar përhapjen e murtajës afrikane të derrit.
Procedurat e testimeve dhe diagnostifikimit janë intensifikuar, dhe siç ka bërë të ditur Thaçi çdo fermë e prekur është vendosur në karantinë për të izoluar sëmundjen.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me veterinerët e terrenit dhe me fermerët, janë diku rreth 5 mijë fermerë që merren me mbarështimin e derrave dhe me të gjitha jemi mobilizuar”, ka thënë Thaçi.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ka theksuar se hulumtimet, testimet dhe asgjësimet e fermave prekëse kërkojnë shpenzime të konsiderueshme, që mund të shkaktojnë probleme në ekonominë familjare të fermerëve dhe shtetërore.