Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se dallimi mes vetëmenaxhimit dhe vetëqeverisjes është diskutim që varet nga takimet dhe bisedat që do të vijojnë.
“Lajçak ka dorëzuar rreth 15 modele që janë duke u analizuar për të parë se çfarë prej atyre modeleve mund të jetë e përshtatshme për Republikën e Kosovës brenda për brenda kontekstit të saj”, ka thënë Kryeziu.
“Ajo se çfarë e dimë është që nuk do të ketë autonomi territoriale, nuk do të ketë shkelje të Kushtetutës, nuk do të ketë eskivim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Do të ketë referim në letrën e zonjës Mogherini dhe do të ndërtohet mbi bazën e asaj që Chollet dhe Escobar kanë thënë në diskutime publike e politike”, ka shtuar ai.
Kryeziu ka theksuar se Serbia insiston të shmang nënshkrimin sepse sipas tij, ajo thotë që nga ai nënshkrim derivojnë obligime ndërkombëtare. Sipas tij, në këtë situatë “ka diqka”.
“Serbia synon stagnim, investon për prapakthim dhe dëshiron të ruajë Kosovën kështu në status-quo siq është. Ndërkaq që marrëveshja me rastin e mbështetjes nga të gjitha shtetet e BE-së praktikisht i mundëson Kosovës të avancojë në agjendën evropiane, por dhe i fuqizon argumentet e saj për njohje të reja”, ka theksuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës në “FIVE” të RTV Dukagjinit.