Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se në takimin e 14 shtatorit që pritet të mbahet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, pret që të mos ketë kushtëzim dhe bllokim të marrëveshjes, duke vënë vëmendjen vetëm te njëra pikë e saj.
Kryeziu në emisionin “FIVE ka thënë se ky takim duhet të jetë fer, i drejtë dhe i balancuar dhe se pret që të ketë finalizim të planit të sekuencuar të zbatimit të marrëveshjes bazë.
“Varet nga dinamikat e brendshme të takimit, ne e dimë se çfarë mund të presim nga ky takim në vija të trasha, presim finalizimin e planit të sekuencuar të zbatimit të marrëveshjes, por ky takim duhet të jetë fer, i drejtë dhe i balancuar. Të mos ketë kushtëzim dhe bllokim të marrëveshjes, duke vënë vëmendjen vetëm te njëra pikë e saj. Pikat e marrëveshjes bazike zbatohen në mënyrë të pavarura nga njëra-tjetra”, ka deklaruar Kryeziu.
Ndër të tjera, Kryeziu ka akuzuar Serbinë për shkelje të marrëveshjes bazë që kur është dakorduar në Bruksel e nënshkruar në Ohër.
Ai ka thënë se nga ana e Bashkimit Evropian ka munguar një kritikë më e ashpër ndaj Serbisë karshi sjelljes së saj.
“Ka pasur ngecje në kuptim të zbatimit e kjo për shkak të qasjes së Serbisë dhe kushtëzimeve të saj. BE-ja e ka këndvështrim e vet dhe të qartë, ndoshta jo aq sa e thotë publikisht, por kanë kaluar gjashtë muaj prej dakordimit të marrëveshjes bazike, prej atëherë përveç që është minuar, është shkelur me dhjetëra herë në mënyrë flagrante, shkelje me dy këmbë, duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo është evidente, nuk ka nevojë të bindet ndokush, ka munguar një kritikë më e ashpër e BE-së ndaj sjelljes së Serbisë”, ka vijuar ai.
Ndryshe, Bashkimi Evropian sot ka bërë të ditur se takimet e diplomatëve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, do të nisin të enjten qysh prej orës 09:00.
Diplomatët fillimisht takohen ndaras me liderët e dy vendeve, e më vonë pritet të mbahet një takim trepalësh, mes Kurtit, Vuçiqit dhe kryediplomatit të BE-së, Josep Borell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Në këtë takim pritet të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, të arritur në shkurt dhe më pas për çështjet aktuale.
Takimi i 14 shtatorit mes Kurtit dhe Vuçiqit është i pari prej kur janë rritur tensionet në veri të Kosovës.