Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa, e ftuar tek emisioni “Rreth e rrotull” të martën e 2 gushtit ka theksuar se brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, këngëtarët i kanë paguar 1.3 milion euro ATK-së, ndërsa sallonet e ondulimit 836 mijë euro.
Ajo ka shtuar se është rritur vetëdijësimi i deklarimit dhe përfundimi i pagesave nga ana e këngëtarëve, duke dy-trefishuar shifrat.
Bytyqi-Sefa ka theksuar se në ATK janë afërsisht 500 individë të regjistruar në kuadër si produksion apo këngëtar.
“Iu bëj thirrje që të deklarojnë të gjitha obligimet që lindin si rezultat i aktivitetit që e zhvillojnë”, ka shtuar Bytyqi-Sefa.
Tutje, ajo ka shtuar se në periudhën janar-qershor 2023 nga sallonet e ondulimit janë grumbulluar “afër 836 mijë euro tatime, e në krahasim me dy vitet e kaluara kemi 40-50% progres”.
Ndërsa, për kategorinë e personave që cilësohen si persona të pasur, Bytyqi-Sefa ka thënë se projekti sa i përket përmbushjes tatimore janë të ndarë në kategori të ndryshme prej 1 milion deri 20 milionë dhe nuk ka kushte specifike por vetëm monitorim nga përmbushja e tyre tatimore.